Çfarë do të sjellë takimi i paralajmëruar midis kryeministrit Mickoski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Ky takim, siç dihet, u dakordua në takimin e liderëve, por edhe pas një jave ende nuk është përcaktuar se kur dhe ku do të mbahet. Ahmeti në Click Plus në TV21 zbuloi se kishte pasur një takim me Mickoskin edhe në 100 ditët e para të Qeverisë, ku, siç theksoi, ishte dakorduar që së bashkë me zgjedhjet lokale të mbaheshin edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Megjithatë, siç shtoi ai, Mickoski e ndryshoi qëndrimin. Në takimin e tyre të ardhshëm më pas, nga ana e Mickoskit u prezantuan dy opsione, por që Ahmeti nuk i pranoi. I pyetur se kur do të mbahet takimi i ri i paralajmëruar, Ahmeti u përgjigj:
Ahmeti: Çështje kohe është…
TV21: A do ta ftoni ju, apo prisni që ai të ju ftojë?
Ahmeti: Nëse ai e vonon thirrjen, sigurisht se do ta thërras unë. E mbaj për fjale, sepse jemi dakorduar të ulemi dhe të bisedojmë. Janë tema me rëndësi për shtetin dhe unë tani nuk do të shndërrohem në kujdestar të paqes dhe stabilitetit.
Mickoski që në takimin e liderëve tha se data nuk është caktuar dhe nuk tregoi as çfarë do të jenë temat e bisedimeve. Për ndonjë datë konkrete nuk konfirmuan as nga VMRO-DPMNE.
“Normal është që kryetarët e partive politike, kjo është pjesë e punës së tyre, të takohen, megjithatë për këtë takim ende nuk ka informacione zyrtare se kur do të ndodhë dhe për çfarë do të diskutohet”, tha Brane Petrushevski – VMRO-DPMNE.
Jozyrtarisht, Ahmeti do të vendosë në tavolinë kërkesën për zgjedhjen e Qeverisë me Badenter, si dhe që vendimet që do të merren në Gjykatën Kushtetuese për ligjet me shumicë të dyfishtë gjithashtu të jenë me Badenter. Ahmeti në Klik Plus theksoi se BDI-ja nuk është e interesuar të bëhet pjesë e Qeverisë, pasi siç tha, kjo temë është bërë si në treg.
I pari i integristëve Ahmeti foli edhe për takimin me Filipçe në dhjetor në Tetovë. Ai tha se ka marrë ofertë prej tij për të formuar një front opozitar europian, por që e ka refuzuar me arsyetimin se nisma të tilla kanë pasur më parë dhe kanë rezultuar të pasuksesshme.
Ahmeti: Po, u hap edhe kjo temë, çështja e frontit të përbashkët europian. Po e sqarova se kemi pasur iniciativa më herët, të cilat si iniciativa kanë rezultuar të pasuksesshme. Siç qëndrojnë punët, ende është herët, ende njerëzit janë të ndarë në shqiptarë dhe maqedonas, parti politike shqiptare dhe maqedonase.
Filipçe mohon se ka pasur bisedë për ndonjë koalicion.
“Për koalicion nuk kemi biseduar. Është e vërtetë se përveç disa aspekteve të pushtetit lokal, unë e përmenda në atë takim shqetësimet tona dhe ia përcolla kryetarit Ahmeti. Nuk kishte ndonjë iniciativë për formimin e ndonjë fronti sepse nuk ka zgjedhje, nuk ka për çfarë të diskutohet”, u shpreh Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Në lidhje me takimin e paralajmëruar midis Ahmetit dhe Mickoskit, kryetari socialdemokrat vetëm tha se çdo kush mund të takohet me këdo.
