Festë familjare dhe shtetërore e ka vlerësuar lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ditën e sotme të zgjedhjeve.
Pas votimit, Ahmeti tha se sot demonstrohen vlerat evropiane, të cilat i synon Maqedonia e Veriut me anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Ka shprehur shpresë që palët pjesëmarrëse në zgjedhje të pranojnë rezultatet me urtësi dhe arsye.
“Dita e sotme është festë familjare, shtetërore pasi demonstrohet vlera të mirëfillta demokratike. Jemi shtet në prag të fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ky proces zgjedhor sigurisht se ndikon në vlerat që ne po ndërtojmë dhe pas përmbylljes së procesit uroj që të gjitha palët, me urtësinë dhe arsyen e fortë të pranojnë rezultatet”, tha Ahmeti, transmeton TV21.
