Lideri i BDI-së Ali Ahmeti u përgjigj rreth pakënaqësive brenda grupit të pakënaqur të BDI-së. Ai tha se këto janë çështje të politikave ditore dhe sipas tij hatërmbetjet personale nuk duhet të bëhen pjesë e platformës së BDI-së.
“Unë mendoj se grupi parlamentar nuk është i përkushtuar për të rrezikuar ardhmërinë, por këto janë çështje të politikave të përkohshme ditore që unë mendoj që nuk janë të pamenaxhueshme dhe të pa kapërcyeshme. Hatërmbetjet ditore nuk bënë t’i bëjmë pjesë të platformave tona afatgjate dhe pjesë të platformave tona organizative.”- deklaroi Ali Ahmeti lider i BDI-së.
Megjithatë në reagimin e të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit” janë të nënshkruar figura që gjenerojnë shumë vota në BDI, si Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Musa Xhaferi e Nevzat Bejta. Ata në letrën e nënshkruar kanë theksuar se BDI duhet të kthehet në pozitën siç zhvillohej plot 18 vite, e organizuar dhe e strukturuar. Megjithatë Ahmeti thotë se BDI ka ngritur struktura të qëndrueshme me çka do të mund të funksionojë pa secilin.
“BDI ka ngritur struktura të qëndrueshme që mund të funksionoj pa Ali Ahmetin, pa Blerim Bexhetin, pa Musa Xhaferin pa Izet Mexhitin, ky është investim kombëtarë dhe ky investim kombëtarë ka bazë të fortë dhe përkrahje të fortë.”- tha Ali Ahmeti lider i BDI-së.
E kërkesat e Grupit të pakënaqur të BDI-së në njoftimin që e shpalosën dje janë:
-Debat politik brenda partisë për tejkalimin e kësaj situate;
-Përgjegjësi dhe llogaridhënie nga mbajtësit e pushtetit ekzekutiv;
-Apelojmë që të ndërpritet “lufta” politike brenda llojit;
-I bëjmë thirrje anëtarësisë dhe strukturave partiake që të angazhohen në evitimin dhe tejkalimin e këtyre dukurive dhe të kësaj situate;
-Kërkojmë nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti që të shfrytëzojë autoritetin e vet politik dhe statutar për gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak.
Ndryshe në letrën drejtuar Ahmetit janë të nënshkruar dy deputetë të kuvendit, Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku, por Ahmeti u shpreh i bindur se kjo nuk mund të rrezikon shumicën parlamentare.
