Me këtë video, kreu i BDI-së Ali Ahmeti përmes Facebookut, i dërgoi mesazh kreut opozitar Hristijan Mickoski, se njëjtë si LSDM-ja dikur, tani edhe VMRO-DPMNE-ja po bën të njëjtën fushatë kundër BDI-së. Kreu integrist shkruan se liderë të partive politike pa nevojë flasin nëse BDI-ja do të mbetet në pushtet apo jo, sepse për këtë vendos populli.
“Dikur LSDM, sot VMRO DPMNE, e njëjta fushatë, i njëjti narrativ, e njëjta strategji me qëllim të njëjtë. Janë qytetarët ata që vendosin fatin e partive politike në vend dhe përcaktojnë përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit në përputhje me pritshmëritë e tyre. Asgjë e re, film i parë, me skenar të vjetër dhe jokreativ, me ritransmetime të shpeshta me aktorë të ndryshëm”, shkroi Ahmeti.
Ky reagim i Ahmetit vjen dy ditë pasi kreu i VMRO-DPMNE-së Mickoksi në emisionin “Click Plus” të TV21 tha se BDI-ja ka kaluar gjatë kohë në pushtet dhe se e ka robëruar LSDM-në. Sipas Mickoskit, integristët pas kaq kohësh në pushtet, duhet të shkojnë në opozitë.
“Ata 15 deputetë i qeverisin këta 40, sa janë atje në koalicionin e LSDM-së. Kjo është esenca. Esenca është folklori, shiheni, atje janë Bujari, Kreshniku dhe Artani. Nga ana tjetër e keni Kovaçevskin. A e dini se kush është zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit?! Unë nuk e di se si duket ai. Po të mos e kishim parë ministrin e Drejtësisë në ndeshjen në Palermo, do të harroja se shteti ka ministër drejtësie. Kjo është për lëvdata, se si arritën këta 15 deputetët t’i qeverisnin këta 40. Por kjo është e keqe për shtetin, për shkak se këta janë shumë gjatë në pushtet, ndihen tepër rehat”, tha Mickoski.
Edhe ish-kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në fushatën për zgjedhjet në qershor të vitit 2020 tha se është mirë për shtetin por edhe për vetë BDI-në që të shkojnë në opozitë, me qëllim që, siç theksoi, të riformohen si parti. BDI është në pushtet që nga 2002, menjëherë pas themelimit si parti politike. Nuk ishin pjesë e pushtetit vetëm në qeverinë e Nikolla Gruevskit në periudhën prej 2006 deri në 2008, kur nga partitë shqiptare PDSH-ja e zëvendësoi BDI-në.
