Ahmeti: I dinim të gjithë bashkëpunëtorët e UDB-së! Libër për ilegalitetin që çoi në rrënimin e Jugosllavisë

TË FUNDIT

“Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë” është titulli i librit në dy vëllimet e të cilit mund të kuptohet rezistenca e shqiptarëve kundër Jugosllavisë. Ai u promovua sot, nën përkujdesjen e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, i cili kur doli të flasë, ndonëse e pranoi se nuk e ka lexuar, u shpreh se nga ato që ka dëgjuar, në këtë libër janë të gjitha të vërtetat për shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Më pas foli për ato që vetë i ka përjetuar dhe se në kohën e ilegalitetit i kanë ditur të gjithë bashkëpunëtorët e UDB-së.

“Gjeneralët që na jepnin mësim nga Shqipëria dinin edhe foletë e dallëndysheve në kazermat e Jugosllavisë dhe ne i kemi ditë të gjithë dallëndyshet bashkëpunëtorë të UDB-ës që janë dhe çdokush që fluturonte në çdo aeroport të Europës brenda 24 orësh ne e dinim ku është dhe çka bën”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Historiani dhe një ndër autorët e librit Skender Asani u shpreh se punën të cilën e bëjnë kanë për qëllim nxjerrjen e të vërtetave historike, si dhe të parandalojnë manipulimin historik.

“Arsyet themelore pse ne iu rrekëm këtij projekti ka të bëjë me një qëllim shumë sublim që kishim si studiues, që të parandalojmë manipulimin nga qarqet e individ të cilët me vite të tëra ishin munduar të na prezantojnë si vlera kombëtarë, disa pseudovlera të na fusin pikën në mesin e shqiptarëve për llogari të shërbimeve antishqiptare”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH.

Redaktori i librit Emin Azemi rikujtoi se si shqiptarët ishin populli i vetëm në Evropë me të drejta të mohuara individuale e kolektive, që përballeshin me një shtet të mirëorganizuar.

“Moszgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Jugosllavi ishte arsyeja e formimit të organizatave ilegale, grupeve kurse organizimi ilegal ishte shkaku. Pamjaftueshmëria e zgjidhjes së drejtë shqiptare në Jugosllavi nxori në pah edhe një antagonizëm të heshtur në por shumë të fuqishëm në mes politikës të ashtuquajtur institucionale autonomiste të Kosovës”, tha Emin Azemi, redaktor i librit.

Përveç Skender Asanit, autorë të tjerë të librit janë Sevdail Demiri, Miliaim Fetai dhe Besnik Rameti.