Ahmeti e Mexhiti për Siljanovskën: Të mos lëndojmë plagët e vjetra dhe të mos e kthejmë të kaluarën

TË FUNDIT

Disa fjalë të kandidates për presidente nga radhët e VMRo-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, bënë që të reagojnë thuajse të gjithë aktorët politik shqiptarë në Maqedoni. Gjatë tubimit në Kumanovë, Davkova tha se disa vepra kundër njerëzimit nuk vjetërsohen asnjëherë, duke aluduar luftën e vitit 2001.

Të rikujtoj, edhe në vitin 2001 PDSH ishte në Qeveri. Unë askënd nuk e kërcënoj. Vetëm rikujtoj se disa vepra të ashtuquajtura vepra kundër njerëzimit asnjëherë nuk vjetërsohen”, tha Gordana Siljanovska Davkova – VMRO-DPMNE.

Kjo deklaratë e Siljanovskës bëri që të reagojnë të gjithë folësit në tubimin e mbrëmshëm të Frontit Europian në Çair. Në një deklaratë për TV21, Ali Ahmeti tha se Siljanovska duhet të ketë kujdes kur flet për tema të tilla të ndjeshme sepse, siç shton, ushtarët e UÇK-së kanë luftuar për liri dhe nuk kanë qenë mercenarë.

Gjërat që lëndojnë dhe gërvishtin mbi plagë të vjetra nuk është mirë të shfrytëzohen për fushatë elektorale. Duhet të jemi të gjitha palët të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në këtë drejtim. Unë disa herë e kam thënë se e kaluara është e dhimbshme, e kaluara nuk duhet kaluar por nuk duhet të na përsëritet”, tha Ali Ahmeti, Fronti Europian.

Pyetëm edhe Izet Mexhitin nga koalicioni VLEN nëse këto retorika do të pengojnë negociatat për formim të koalicionit qeveritar. Tha se këto deklarime kthejnë emocione të vjetra, dhe shton se ajo deklaratë ishte e kandidates për presidente dhe jo e VMRO-DPMNE-së.

Mendoj se nuk duhet të kthehemi mbrapa sepse ajo kthen të kaluarën kthen emocione. Mendoj që kemi mjaftueshëm punë për të ardhmen. Dmth reagimi ishte nga kandidatja për kryetare, deri tash nga pala tjetër nuk ka pasur retorikë të tillë”, theksoi Izet Mexhiti, VLEN.

Përndryshe dje në media deklarata e Siljanovskës u interpretua sikur e njejta po kërkon një tribunal ndërkombëtar për të gjykuar veprat e pjesmarrësve në luftën e vitit 2001 në Maqedoni.