Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler është e bindur se procesi në të cilin është përfshirë “Behtel” për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d është plotësisht transparent dhe ligjor, sepse, siç thotë, kjo është mënyra në të cilën funksionon kjo kompani, në të kundërtën nuk do të kishte pasur projekte çdoku në botë dhe disa në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto ambasadorja i tha në intervistë për MIA-n, në kohë kur opozitarja VMRO-DPMNE me javë e akuzon pushtetin për “projektin kriminal” më të madh që e ka parë Maqedonia dhe se po keqpërdoret flamuri eurpoian për kalimin e ligjeve në Kuvend. Ageler thotë se kritikat e VMRO-DPMNE-së janë pa fakte dhe nuk kanë informacione të sakta për procesin.
“Konsideroj se është mjaft zhgënjyese ajo që ata në opozitë kritikojnë pa të gjitha faktet apo kritikojnë diçka për të cilën nuk kanë informatë. Atë e bëjnë thjeshtë vetëm për të qenë kundër Qeverisë, po, kjo është puna e opozitës, por njëkohësisht jam plotësisht e bindur se procesi në të cilin është i involvuar ‘Behtel’ është tërësisht transparent dhe ligjor, sepse ata punojnë në atë mënyrë, përndryshe nuk do të kishin pasur projekte çdokund në botë dhe një numër të caktuar këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse nuk do të kishin qenë kompani e besueshme edhe qytetarët e këtij vendi do të jenë mjaft të lumtur t’i kenë korridoret 8 dhe 10d, kur do të kompletohen”, tha Angela Ageller, ambasadore amerikane në Shkup.
Pas këtyre fjalëve të ambasadores, opozitarja VMRO-DPMNE doli me konferencë të veçantë për media, ku thanë se nuk janë kundër fjalëve të ambasadores Ageler se duhet të mbrohet interesi nacional, por sipas tyre qeveria e LSDM-së dhe BDI-së e bëjnë të kundërtën duke paguar penale ende pa filluar punimet.
“Interes nacional për qytetarët e Maqedonisë është të mos paguhen më tepër se 300 milionë euro për penale dhe avance ndërsa nuk është hedhur ende asnjë lopatë për projektin. Jemi të sigurt se interes i përbashkët edhe për ambasadoren Ageler edhe për qytetarët e Maqedonisë është në drejtim të transparencës dhe qeverisjes të së drejtës, marrëveshjen që e nënshkroi qeveria e Maqedonisë me kryerësit e punimeve të publikohet. Në të kundërtën jemi të brengosur se jepet shembull i keq dhe praktikë e gabuar e cila për fat të keq nga qeveria kriminale e BDI-së dhe LSDM-së do të keqpërdoret”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së .
Përndryshe ndërtimi i dy autostradave të korridoreve 8 dhe 10d është paraparë të kushtojë 1.3 miliardë euro, por kjo shifër mund të rritet nëse gjatë rrugës dalin punë dhe harxhime që nuk janë parashikuar.