Ageler: Qëllimi ynë është një Maqedoni e sigurt, stabile dhe demokratike

TË FUNDIT

Në një intervistë për TV21, ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni, Angela Ageler, foli për situatën në vend, duke theksuar se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që Maqedonia të jetë “një shtet më i sigurt, më i fortë dhe më i qëndrueshëm me demokraci stabile”.

E pyetur se nëse këto mesazhe nënkuptojnë që vendi aktualisht nuk është mjaftueshëm i sigurt dhe demokratik, pas së cilës Ageler u përgjigj se kjo nuk është poenta.

“Nëse do të mendoja se nuk jeni të sigurt, do të thosha se ju nevojitet një shtet i sigurt. Maqedonia tashmë është e sigurt, sepse është anëtare e NATO-s. Por, si çdo shtet tjetër, mund të jetë më e mirë,” tha ajo.

Ajo shtoi se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim – nga forcimi i institucioneve, te zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies.

“Mund ta bëjmë vendin më të sigurt dhe më prosperues duke zhvilluar ekonominë,” tha ajo.