Afrim Gashi do të ketë tre zëvendësues – Milloshoski, Bendevska dhe Mitreski, nënkryetarë të kuvendit

TË FUNDIT

Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE, Jovan Mitreski nga LSDM dhe Vesna Bendevska nga ZNAM janë propozimet për nënkryetarët e ardhshëm të kuvendit. Ata duhet të zgjidhen në seancën e nesërme të Kuvendit pasi paraprakisht do t’i konfirmojë Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Vesna Bendevska e cila në emisionin Click Plus në TV21 i demantoi spekulimet se ajo do të jetë ministrja e ardhshme e drejtësisë nga radhët e ZNAM, tha se në të ardhmen Kuvendi do të ketë tre nënkryetarë.

“Në parim opozita merr një post për nënkryetar dhe një ose dy marrin partitë politike që marrin pjesë dhe janë pjesë e shumicës. Vendimin për numrin e nënkryetarëve nuk e kam parë sepse paraprakisht atë duhet ta konfirmojë Komisioni për zgjedhje dhe emërime”, tha Vesna Bendevska.

Bendevska nga pozita e ish kryetare e Komisionit për parandalim të diskriminimit foli edhe për balancuesin duke thënë se i njëjti duhet të shfuqizohet sepse, siç theksoi, në shumë raste abuzohet.

“Balancuesi u bë antipod i idesë fillestare për të. Nëse ideja fillestare ishte përfaqësimi në përqindje dhe punësimi i pjesëtarëve të komuniteteve më të vogla etnike, tani po shohim se çdokush e keqpërdor të drejtën që të prononcohet nga aspekti etnik si të dojë.  Pse? Sepse instrumentet që i garantojnë liritë dhe të drejtat e qytetarit, i mundëson çdokujt që pasi zgjohet një mëngjes të ndihet si pjesëtar i komunitetit rom, boshnjak, shqiptar, maqedonas”, u shpreh Bendevska.

Bendevska tha se për këtë arsye  edhe regjistri për pjesëtarët e punësuar të komuniteteve etnike në Ministrinë e shoqërisë informatike dhe administratë tashmë nuk mund të udhëhiqet.