Afganistani pranon ndihma pas tërmetit shkatërrues

TË FUNDIT

Tenda, ushqim dhe ilaçe kanë arritur në lindje të Afganistanit, pas tërmetit vdekjeprurës të 22 qershorit.

Si pasojë e tërmetit kanë vdekur mbi 1,500 njerëz, kanë thënë talibanët për agjencitë afgane të lajmeve.

Sipas tyre, të paktën 1,600 persona janë plagosur kur tërmeti ka goditur tri rajone malore afër kufirit me Pakistanin.

Një tjetër tërmet më i vogël më 24 qershor, ka lënë të vdekur pesë persona, pak pasi talibanët kanë bërë të ditur se ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit.

Tërmeti i 22 qershorit, i cili është thënë se ka qenë 6.1 shkallë të Rihterit, përbën katastrofën më të keqe natyrore në Afganistan në dy dekadat e fundit.

Një aeroplan i ushtrisë pakistaneze ka dërguar ndihmën më 25 qershor në Provincën Khost, një prej tri rajoneve të goditura nga tërmeti.

Kjo katastrofë përbën sfidë për Qeverinë e udhëhequr nga talibanët, e cila nuk njihet nga asnjë shtet.