Sot është dita e fundit për tërheqjen e 52,5 milion; eurove nga BE, por tri ministri nuk kanë përmbushur kushtet për t’i realizuar këto grante të pakthyeshme. Në afatin prej 12 muajve nuk janë përmbushur obligimet, por nga Ministria për çështje Evropiane thonë se këto mjete nuk rrezikohen të humbasin. Ministri Orhan Murtezani tha se është paraqitur kërkesa e parë për lirimin e fondeve në shumën prej 17 milionë eurove, nga të cilat mbi 9 milionë euro kanë të bëjnë me investime kapitale.
Në llogaridhënien për vitin e parë të qeverisjes të këtij dikasteri, Murtezani tha se lista aktualisht përfshin 19 projekte me vlerë totale prej 1.1 miliard eurosh. Katër grante për asistencë teknike janë marrë në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, dy projekte për asistencë teknike dhe dy grante investimi janë aplikuar për asistencë teknike për Maqedoninë e Veriut. Ministri theksoi gjithashtu që Bullgaria mban qëndrime jo të njëjta sikurse BE lidhur me rrugëtimin integrues të vendit.
Paralelisht, siç deklaroi ai, po koordinohet rishikimi i listës treguese të projekteve të investimeve në kuadër të Instrumentit të reformës dhe rritjes të agjendës së reformës, si dhe planifikimi i procesit të aplikimit për Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, Murtezani tha se është finalizuar programimi i fondeve IPA për vitet 2025-2027, me 67 milionë euro të synuara në sektorët strategjikë, duke përfshirë sundimin e ligjit, arsimin, administratën publike dhe inovacionin.
