Në shkurt disa prej administratorëve shtetërorë u kthyen në punë pas një pauze për shkak të pandemisë.
Tani pritet që të gjithë administratorët të kthehen në punë me orare të plota. Për këtë pyetëm zv/ministrin e Shëndetësisë Ilir Hasanin.
Ai tha se dalëngadalë do të kthehen të gjithë, por do të lejohet që të shfrytëzohen edhe pushimet vjetore që kthimi të jetë më i ngadaltë.
“Mendoj se është koha, që dalëngadalë të kthehen të gjithë administratorët në punë. Ideja është që për shkak të pamundësisë të shfrytëzimeve të pushimeve vjetore Ministria e Shëndetësisë ka lejuar që pushimet vjetore të shfrytëzohen nga punëtorët sidomos në shëndetësi kështu që kthimi duhet të jetë më i ngadalshëm, nuk duhet të jetë i prerë. Masat do të jenë absolutisht të kontrolluara nga Ministria e Shëndetësisë”, deklaroi Hasani.
E pyetëm edhe ministrin e Shëndetësisë se cilat do të jenë protokollet që do të duhet t’i dinë administratorët para se të kthehen të gjithë në punë.
“Masat për mbrojtje nga Covid 19 në ambiente të mbyllura nuk janë hequr, dhe gjithashtu ato do të vazhdojnë të mbeten në fuqi”, deklaruan nga MSH-ja.
Ndryshe nga një qershori do të hiqen maskat në ambiente të hapura, por ora policore do të ngelet në fuqi. Qytetarët do të mund ta pijnë kafen me një rreth më të gjerë shoqëror nëpër tavolina. Ndeshjet sportive mund të luhen me publik, ku mund të mbushet vetëm 30% e kapacitetit të plotë të fushave të sportit por vetëm në ambiente të hapura.
