Futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut dhe kapiteni i Dinamo Zagrebit, Arijan Ademi, është shpallur futbollisti më i mirë për vitin 2020 në Kroaci.
Ademi fitoi 66 nga 100 pikët e mundshme, në sondazhin tradicional të “Tportal”, në të cilin votojnë kapitenët e dhjetë ekipeve kroate në Ligën e Parë.
Kapiteni i Hajdukut, Mijo Caktash (46) doli i dyti, ndërsa Franko Andrijasheviq (Rijeka) dhe Kristijan Lovri (Gorica) ndanë vendin e tretë me nga 18 pikë.
“Mendoj se nuk ka nder dhe kënaqësi më të madhe kur njerëzit në profesionin tuaj ju zgjedhin si më të mirin. Kjo është arsyeja pse ky trofe ‘Kapitenët zgjedhin’ do të ketë një vend të veçantë në karrierën time”, tha Ademi, i cili sezonin e kaluar mbrojti titullin e kampionit në Kroaci dhe me Dinamon këtë vit siguroi vend në fazën eliminatore të Ligës së Evropës. (mia)
