Pas plagosjes së pulmologut Zekirija Shahini, i cili është bartës liste i BDI-së në komunën e Likovës, ka reaguar nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi që siç tha, duhet të ketë reagim serioz dhe transparent dhe se ky rast nuk duhet të mbetet pa epilog. Ademi kërkoi reagim të menjëhershëm të organeve kompetente, që siç tha, janë garantë të rendit dhe ligjit.
Ademi tha se ky rast është një akt i rëndë, i qëllimshëm dhe makabër, që synon të krijojë pasiguri, frikë dhe tension.
“Fshehja e së vërtetës, devijimi apo relativizimi i ngjarjes janë të papranueshme dhe të rrezikshme.
Ky nuk është incident i thjeshtë, por një ngjarje me indikacione të forta për atentat – dhe duhet trajtuar si e tillë.
Kërkesat tona janë të qarta dhe legjitime:
• Të ndërmerret veprim i menjëhershëm, pa vonesa dhe pa kalkulime politike;
• Të identifikohet dhe arrestohet autori, si dhe çdo person i përfshirë në organizimin e këtij sulmi;
• Të informohet publiku me transparencë dhe përgjegjësi, sepse siguria e qytetarëve është çështje shteti, jo partie.
Ky rast nuk duhet dhe nuk guxon të mbetet pa epilog, dhe ai duhet të jetë i bazuar në fakte.
Çdo heshtje apo vonesë institucionale do të përbënte papërgjegjësi të rëndë dhe rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendit.
Nëse një kandidat politik mund të sulmohet me armë në mes të fushatës zgjedhore, në mes të qytetit, atëherë asnjë qytetar nuk mund të ndihet i sigurt.
Ne paralajmërojmë se tolerimi i dhunës do të ketë pasoja të rënda për sigurinë publike, për procesin zgjedhor dhe për imazhin e institucioneve shtetërore.
Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë, MPB-së dhe Prokurorisë Publike të veprojnë menjëherë dhe me seriozitet, si garantë të rendit dhe ligjit.
Ne do të mbetemi të vendosur në rrugën e ligjshmërisë, maturisë dhe dinjitetit politik.
Demokracia nuk mund të frikësohet me armë, dhe vullneti i qytetarëve nuk mund të ndalet me plumba”, tha Ademi.