BDI pret që në zgjedhjet e ardhshme të marrë mbështetjen e qytetarëve dhe të jetë faktor vendimmarrës që do të negociojë për pozitën shqiptari i parë kryeministër në shtet, deklaroi sot ministri Arbër Ademi, duke folur si përfaqësues i partisë.
Ademi nënvizoi se në takimin e djeshëm të liderëve tek presidenti Stevo Pendarovski nuk ka pasur përfaqësues të shqiptarëve, që sipas tij, e konfirmon nevojën për nismën e BDI-së për kryeministër.
“Dje ishim dëshmitarë të një takimi të pasuksesshëm monoetnik në klubin ekskluziv maqedonas, që është edhe arsyeja kryesore se pse duam ta rrëzojmë shtyllën e ngelur të monoetnizimit të rezervuar për pozitat drejtuese. Madje edhe një fëmijë i cili mbrëmë e ka parë takimin midis Pendarovskit, Zaevit dhe Mickoskit pyetet se pse midis tyre nuk ka pasur shqiptar. Kryeministri shqiptar jo vetëm se do të jetë model për të gjithë fëmijët tanë, por edhe dëshmi se ata janë të barabartë me bashkëqytetarët e tyre maqedonas dhe të gjithë të tjerët. Dëshmi se mund të arrijnë gjithçka në jetën e tyre pa kurrfarë kufizimesh etnike. Kryeministri shqiptar gjithashtu do të jetë sinjal i rëndësishëm për fëmijët maqedonas, për shoqërinë si tërësi ku do ta ndryshojë mentalitetin tek ne, do t’i japë fund shoqërisë monoetnike. Barazia në vendin tonë do të bëhet e plotë dhe e prekshme jo vetëm për maqedonasit dhe shqiptarët por edhe për bashkësitë e tjera etnike”, deklaroi Ademi.
Ai ju bëri thirrje partive shqiptare të bashkohen rreth kësaj ideje të BDI-së, e cila, siç theksoi është kërkesë aktuale ndërsa do të jetë edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor. (MIA)
