Nëse mbetet e tillë gjendja me naftën në bursat botërore, duhet të pritet ulje e çmimit edhe në shitjen me pakicë. Komisioni Rregullator për Energjetikë llogaritjen e radhës duhet ta bëjë me kryetar të ri. Konkretisht, me 68 vota pro dhe 15 kundër, Kuvendi e zgjodhi Aco Ristov për kryetar të ri të KRRE, në vend të ish-kryetarit Marko Bislimoski.
Kundër zgjedhjes së tij ishin deputetët e opozitës, sipas të cilëve bëhet fjalë për një person partiak, e jo të pavarur siç duhet të jetë personi i parë i këtij trupi rregullator. Oliver Spasovski tha se Ristov është ish-kryetar komune i Radovishit dhe anëtar i shquar i VMRO-DPMNE-së, ndërsa edhe më keq është fakti që ai ka kompaninë e tij dhe është pronar i tre hidrocentraleve të vogla, duke realizuar kështu pjesëmarrje në sferën energjetike. Ndërkohë, në të njëjtën seancë për zëvendësguvernatorë të Bankës Popullore u zgjodhën edhe Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski.
