Abazoviq: Nuk kam ndër mend t’i jap Gjukanoviqit “frymëmarrje artificial politike”

TË FUNDIT

Lideri i koalicionit malazez në zgjedhjet e fundit, “E zeza mbi të bardhë”, Dritan Abazoviq, deklaroi se ai është adresa e gabuar, nëse, siç tha, dikush kërkon të Millo Gjukanoviqit t’i jepet “frymëmarrje artificiale politike”.

“Njerëzit kanë të drejtë të thonë ç’të duan, por nëse kërkojnë që dikush t’i japë frymëmarrje artificiale politike Gjukanoviqit – unë jam adresa e gabuar. E vetmja gjë që mund të fitojnë është gjykimi i drejtë për të gjithë që e kanë shkelur ligjin”, thotë Abazoviq në intervistën për BBC-në në gjuhën serbe.

Ndaj idesë se një kryeministër shqiptar mund t’i pajtojë malazezët dhe serbët, lideri i URA-s u përgjigj se ideja e tillë do ta thyente shumë paragjykime.

“Kjo do të ishte shkelja më e madhe e paragjykimeve, por mendoj se mjafton që një shqiptar u bë kryetari i parë i një partie qytetare parlamentare. Nuk e di nëse është herët për një kryeministër shqiptar, por mendoj se më me rëndësi është kryeministri të jetë i sinqertë, profesionist dhe i përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve të Malit të Zi, e jo ndaj interesave të familjes dhe partisë së tij”, konsideron Abazoviq.