Abazoviq e konfirmoi arrestimin e Kashçelanit

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq e konfirmoi se udhëheqësi i supozuar i klanit kriminel Kavaçki, Sllobodan Kashçelan është arrestuar dhe vlerësoi se ky është suksesi më i madh i policisë malazeze në dhjetë vitet e fundit.

Siç lajmëroi RTCG, Abazoviq e mirëpriti veprimin e policisë dhe tha se ishte suksesi më i madh, sepse, siç theksoi ai, këto janë grupe kriminale që kanë rëndësi rajonale.

“Dora e drejtësisë është nisur”, tha Abazoviq pas një konference të Këshillit Kombëtar për Luftimin e Korrupsionit të Nivelit të Lartë.

Ai pretendon se Mali i Zi, nëse nuk ka pengesa, do të luftojë krimin e organizuar.

“Ne u premtuam qytetarëve se mafia nuk do të sundonte Malin e Zi dhe kjo është ajo që po ndodh”, tha Abazoviq.

Ai rikujtoi se Qeveria e re ka premtuar se lufta kundër krimit të organizuar do të jetë përparësi.

“Nuk do të doja të hyja në detaje sepse veprimi nuk ka mbaruar”, tha Abazoviq.

Ai gjithashtu theksoi se ky është vetëm fillimi, sepse, siç shtoi ai, “dora e drejtësisë deri më tani nuk ka arritur tek këta njerëz”.

“Veprimi do të vazhdojë në orët dhe ditët e ardhshme, ne do të kemi pamje më të qartë të domethënies së rastit”, tha Abazoviq.