Regjistrimi i popullsisë ishte tema për të cilën u debatua mbrëmë në Click Plus.
Valon Bela i Lëvizjes BESA tha se ky regjistrim është krimi më i madh që u është bërë shqiptarëve ndonjëherë.
“Unë personalisht e konstatoj si krim që është bërë, një prej krimeve më të mëdha që iu është bërë shqiptarëve në RMV. A e dini pse? Vetëm një argument do tua jap. Nëse e merrni rezultatin e fundit dhe e krahasoni me numrin e qytetarëve me të drejtë vote. A dini sa na dalin të mitur këtu, 10 mijë. Kjo nënkupton se ti i mohon 20 vite natalitet këtij shteti”, tha Bela.
Por lideri i PDSH-së Menduh Thaçi thotë se me rezultatin e regjistrimit u hoqën se shqiptarët janë shtetformues.
“Shqiptarët janë 25, 28, 29%, kjo më është e pa rëndësishme për shkak se u vërtetua në shifra pas 20 viteve se shqiptarët janë këtu popull shumë i madh, shtetformues. Ky është një term i vjetër ndoshta i komunizmit, po për ta bërë pak më demokratike është edhe popull shtet-shkatërrues. Për shkak se kur krijohen, popujt kur i krijojnë këto shtete, kanë kapacitetet e tyre konstruktive dhe kapacitetet destruktive”, tha Thaçi.
Analisti Albert Musliu vlerëson se numri i shqiptarëve është rritur.
“Ne e dimë gjithë dhe ajo është fakt se numri i shqiptarëve është rritur por nuk është regjistruar. Që është rritur ajo është fakt, ne i shohim numrat lindjet, vdekjet”, tha Musliu.
Në debat gjithashtu u tha se procesi i regjistrimit duhet të jetë proces statistikor po partitë në pushtet e kanë politizuar.
