A shndërrohet Buteli në “xhungël” urbane?! Në vend të një parku dhe objekti komercial, ndërtohet ndërtesë pa leje

TË FUNDIT

Tokë e gërmuar, park i shkatërruar dhe ekskavatorë që gërmojnë te rrugët “Ferid Bajram” dhe “Gruica Vojvoda” në Komunën e Butelit. Toka është private. Pronari, bashkë me investitorin partner, kanë vendosur t’i nisin punimet. Sipas lejes fillestare ishte parashikuar të ndërtohen objekte komerciale të kategorisë së dytë. Megjithatë, sipas informacioneve të cilat i siguroi TV21, investitorët kanë ndërruar mendjen dhe tani duan në këtë vend të ndërtojnë ndërtesa banimi. Por, një gjë e tillë nuk është përshkruar në Planin e Detajuar Urbanistik të Komunës së Butelit. Njëkohësisht, lejen që e posedojnë pronari i tokës dhe partneri i tij, ka vlefshmëri vetëm dy vjet, kurse e njëjta është dhënë në vitin 2016. Në lejen, të cilën e pa ekipi i TV21, shkruan se nëse për dy vjet nuk fillon ndërtimi, atëherë leja nuk do të vlejë më. Prandaj, mund të merret përfundim se punimet të cilat për momentin po zhvillohen atje, janë të paligjshme. Edhe përkundër insistimit të TV21, pronari i tokës dhe investitori nuk deshën të flasin para kamerës. Pyetëm edhe në Komunën e Butelit. Kryetari, Velimir Smilevski, i konfirmoi informacionet e TV21, por shtoi se brenda disa vitesh planifikojnë ta ndryshojnë Planin e Përgjithshëm Urbanistik.

-“Ne pamë se ka ekskavatorë dhe i dërguam shërbimet tona. Derisa nuk merret miratim i ri, asgjë nuk mund të preket,” tha Velimir Smilevski, kryetar i Butelit. 

Lejen që e posedon investitori e ka marrë sipas Planit të Detajuar Urbanistik nga viti 2012. PDU-të mund të ndryshohen në 10 vjet, prandaj ka gjasa të pritet derisa nuk ndryshohet, e pastaj të ndërtohet objekti banimi.

-“Në vitin 2022-2023 do ta ndryshojmë Planin e Përgjithshëm Urbanistik, domethënë planin urbanistik të qytetit, e pastaj do ta harmonizojmë sipas PDU-së. Për momentin ne e adaptojmë me PPU-në, që është bërë në vitin 2012,” tha Velimir Smilevski, kryetar i Butelit,” tha Velimir Smilevski, kryetar i Butelit.

Qytetarët janë të revoltuar që në komunën e tyre ndërtohen ndërtesa të reja, duke i “shuar” hapësirat e gjelbra. Në këtë vend, siç rrëfen një qytetar, më parë ka pasur park dhe vend ku kanë luajtur fëmijët.

Qytetare: Këtu më parë kishte një barakë, pjesa tjetër ishte parku. Tani gjithçka është shkatërruar. Nuk ka as park, asgjë. Ka vetëm ndërtesa, edhe këtë do ta rrënojnë. Te ne këtu është shkatërruar gjithçka. Këtu luanin fëmijët.

Qytetar: Këtu kishte një shitore, por tani ndërtojnë diçka.

Nga Komuna e Butelit thonë se pa e bërë ndryshimin e dokumentacionit me PDU-në, nuk do të ndërtohet asgjë. Përveç ndryshimit të Planit të detajuar urbanistik, do të duhet edhe leje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.