A po lëkundet shumica parlamentare? Kovaçevski nuk druan, thotë se nuk ka rrezik

TË FUNDIT

Zhvillimet e fundit në skenën politike po lënë shumë dyshime nëse shumica parlamentare i ka numrat e duhura.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk druan për jostabilitet të Qeverisë ose për humbje të shumicës qeverisëse në Kuvend. Pas zhvillimeve të fundit në BDI, Kovaçevski kurseu fjalët duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me atë nëse Qeveria e tij është e qëndrueshme. 

Kovaçevski: Është stabile.

G: A ka rrezik për humbjen e shumicës, pasi një pjesë e deputetëve të BDI-së paralajmëruan shkëputjen e tyre nga grupi parlamentar? Ata, praktikisht janë disa nga nënshkruesit e letrës që i ishte dërguar Ahmetit.

Kovaçevski: S’ka rrezik për humbjen e shumicës në Parlament.

Jozyrtarisht, anëtarët e pakënaqur presin që së pari të takohen me Ali Ahmetin e më pas të vendosin se si do të vazhdojnë të veprojnë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe dy deputetë Izet MExhiti dhe Merita Koxhaxhiku të cilët mund ta rrezikojnë shumicën e Qeverisë aktuale.

Por, a ka gjasa që Aleanca për shqiptarët të hyjë në pushtet, duke pasur parasysh se dje edhe u.d. kryetari i partisë, Arben Taravari, tha se nëse marrin një ofertë të tillë, do ta shqyrtojnë të njëjtën. Megjithatë, deputeti Syrija Rashidi, thotë se tani për tani këto janë vetëm spekulime.  

 “Në këtë moment, ato janë vetëm spekulime. Brenda Aleancës për shqiptarët nuk ka diçka të tillë, ne vazhdojmë të veprojmë si opozitë. Për momentin jemi të angazhuar për ta strukturuar partinë, gjithkund ku jetojnë qytetarë dhe votues tanë. Kjo është më me rëndësi për ne. Megjithatë nuk do t’i komentoj deklaratat e kryetarit të partisë. Kjo çështje është diskutuar në strukturat e partisë. Siç e dini ne jemi në një periudhë kalimtare, pra para mbajtjes së Kongresit të partisë”, pohoi Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.

Para disa ditësh, në letrën e zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm, që i ishte dërguar Ahmetit, thuhet se ata janë të pakënaqur nga mënyra e funksionimit të BDI-së ku më shumë privilegj ka Artan Grubi. Letra është nënshkruar nga rreth 20 anëtarë, mes të cilëve edhe Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Visar Ganiu, Nevzat Bejta, Blerim Bexhet e të tjerë.