A po e minon Hristijan Mickoksi që tani bashkëpunimin me partitë shqiptare!? Deklaratat e tij kushtëzuese për heqjen e 20% që i referohet gjuhës shqipe në kushtetutë, a po e çojnë në një rrugë të ngjashme që dikur e kishte Nikolla Gruevski!? Ky i fundit edhe pse në vitin 2016 kishte dalë fitues në zgjedhjet parlamentare, nuk arriti të formon shumicë, pasi nuk pranonte zyrtarizmin e shqipes.
Tani kur partitë shqiptare kërkojnë heqjen e termit 20% nga kushtetuta, Mickoski vendos kusht që të hiqet badenteri por edhe balansuesi.
“Nëse mendoni për normën prej 20%, e kam thënë shumë herë në të kaluarën, jam gati të ulem dhe të bisedoj me këdo, por kjo është ajo marrëveshje e re për Maqedoninë në të cilën duhet të flasim dhe për normën “Badenter” dhe për normën e “Balancuesit”, Hristijan Mickoski – VMRO DPMNE.
Pavarësisht kushtezimeve të Mickoksit, më herët kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është shprehur i bindur se kur të hapet kushtetuta kjo gjë do të ndryshohet.
“Kjo nuk është problem, kjo është biseduar, është konsumuar si temë. Sot kjo nuk është pengesë për partitë politike maqedonase. Është çështje kohe, kur do të hapet kushtetuta për ndryshime tjera, edhe kjo çështje do të jetë në rend dite për tu ndryshuar”, deklaronte Ali Ahmeti – Lider i BDI-së.
Nga ASH thonë se Badenteri është standard evropian për ruajtje të paqes dhe stabilitetit dhe i çojnë mesazh Mickoksit që ta ketë parasysh, se shumë shtete si Maqedonia e kanë rregulluar këtë çështje me parlament dydhomësh.
Para 2 javëve Taravari në Click Plus tha se VMRO-DPMNE duhet t’i rishqyrton politikat e saja, sepse siç shtoi, po zvogëlon kapacitet koalicionuese më partitë politike shqiptare.
“Unë mendoj se VMRO ka nevojë seriozisht të rishqyrton politikat e saja, posaçërisht kur bisedohet për euro integrimet dhe mendoj se paraqitjet e këtilla së paku ky fjalor të cilin e përdorë VMRO-DPMNE thjesht mendoj se shumë i largon prej qytetarëve”, pohoi Arben Taravari – ASH.
TV21: Po prej partive politike shqiptare?
“As që diskutohet prej partive politike shqiptare. Ne e kemi thënë edhe publikisht këtë se me këtë mënyrë të shprehjes dhe pengesës që i bëjnë fillimi të negociatave, unë mendoj se largohen shumë prej partive politike dhe u zvogëlohen kapacitet koalicionuese më partitë politike shqiptare dhe mendoj se seriozisht duhet ta shqyrtojnë politikën e tyre së paku me atë që dalin në publik”, tha Arben Taravari – u.d. kryetar i ASH-së.
Mickoski edhe për këtë pati përgjigje:
“Dmth arritëm te qëllimi. Dhe ai është shtet binacional, më vonë federatë. A është ky qëllimi? Bëhuni të sinqertë dhe tregoni thuaj. Nëse ky është qëllimi, atëherë unë do t’ju jap një përgjigje. Me Marrëveshjen Kornizë, kjo përqindje u vendos për të përshkruar karakterin multietnik të Maqedonisë sonë të përbashkët. A është ky qëllimi për të rrezohet karakteri unitar i Maqedonisë? Epo, këtu do t’ju jap një përgjigje për këtë pyetje. Karakteri unitar i Maqedonisë është vija që ne do ta mbrojmë. Dhe ne do ta mbrojmë me jetë. Dhe këtu nuk ka më kthim”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMR-DPMNE-së.
Edhe nga Lëvizja BESA thonë se paralelja që mundohet të bëj kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski mes termit “20%” dhe mekanizmit të Badenterit është jo adekuate dhe ka të bëj me dy çështje që janë diametralisht të kundërta.
“Tentimi për të futur në “pazar” politik në ndryshimet kushtetuese këto dy çështje, nuk është as racionale e as nuk ndihmon në ndërtimin e vazhdueshëm të kohezionit ndër etnik në vend.
Gjithë politikanët maqedonas të cilët po luftojnë në njohjen e gjuhës së tyre duhet të jenë koshient se me termin “20%”, po nënçmojnë gjuhën shqipe dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, tha Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Kur Televizioni 21 pyeti në VMRO-DPMNE se a po i prish marrëdhëniet me partitë shqiptare me kushtëzime të tilla, nga atje u përgjigjën se VMRO-DPMNE është partia politike më e madhe në Maqedoni dhe e ka mundësinë që partnerët e koalicionit t’i zgjedh vetë.
Ndryshe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, shkruan se Gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni është gjuha që e flasin 20% e popullsisë, duke mos u përmendur fjala “shqipe”.
Ky fakt që u pengon shqiptarëve pritet të ndryshohet gjatë hapjes së kushtetutës, nëse votohet me 2\3 e deputetëve.
