Dikush në piknik dikush në protesta, por kishte edhe prej tyre që sot punonin sikur të jetë një ditë e zakonshme.
Disa punëtorë të ndërmarrjes “Rrugë dhe Rrugica” sot po sanonin rrugët e qytetit.
Tv21 i pyeti punëtorët, se a marrin mëditje shtesë, por nuk deshën të flasin para kamerave.
Kërkuam edhe drejtorin Senad Smailoviç por nuk morëm përgjigje.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska tha se punëtorët kanë të drejtë të punojnë edhe në ditë feste, por sipas saj duhet të ketë mëditje shtesë..
“Secila kompani mundet të paralajmërojë që në një festë të caktuar shtetërore do të punojë. Nëse kjo lajmërohet në mënyrë të rregullt në Inspektoratin shtetëror për punë, sipas asaj ndiqet se a do të paguhet paga e caktuar, ndërsa shtohet mëditje për punë në ditë feste. Nëse paguhet ajo shtesë për punë në ditë feste, ligji tërësisht është respektuar. D.m.th. kanë të drejtë të punojnë dhe paga duhet të rritet për atë përqindje për punë në ditë feste”, deklaroi Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.
Sot punuan edhe punëtorët e Higjienës komunale. Zëdhënësja tha se do te ketë mëditje shtesë për punëtorët që kanë punuar sot.
“Aktivitetet e NPHKSH janë me rëndësi vitale për funksionimin e Qytetit të Shkupit dhe për këto arsye të punësuarit tanë vazhdimisht, punojnë në tre ndërrime, të dielave dhe për festa, me qëllim që të mirëmbajmë higjienën dhe pastërtinë në nivel sa më të lartë. Për festa dhe të dielave, të punësuarave u paguhet mëditje më e lartë”, u shpreh Ana Maria Branxholica, zëdhënëse “Higjiena Komunale”.
Ligji parasheh që nëse punohet në ditë të festave shtetërore dhe ditët e jo-punës të caktuara me ligj, punëtorët kanë të drejtë për kompensim të pagës që i takon për ato ditë jopune dhe pagë për orët e kaluara në punë të rritur për 50%.
Përgatiti: Afrim Jonuzi
