Bashkëpunim me BDI-në dhe qëndrim në Qeveri nuk shkojnë bashkë, duhet të përcaktohet, përsëriti qëndrimin e tij zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti dhe i bëri thirrje ministrit të shëndetësisë, Arben Taravarit që të vendosë me kë do të bashkëpunojë. Edhe pse këto ditë tha se Taravari duhet të largohet nga Qeveria, ai shmangu që të përgjigjet nëse do të kërkojë nga kryeministri Hristijan Mickoski që ta largojë Taravarin nga pushteti.
Mexhiti tregoi se në seancën e djeshme qeveritare, Taravari nuk ishte i pranishëm, por aty ka qenë ministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai nga ASH e Taravarit. Fetai i cili shpesh ka kritika të ashpra ndaj BDI-së, thotë se nuk ka plane për ndryshimin e pozitave të ASH-së në Qeveri por se nuk ka hapësirë për vendime të njëanshme nga cilado palë.
Kryeministri Mickoski paralajmëroi se do të ketë takim me koalicionin, ku, sipas informacioneve jozyrtare, me shumë gjasa do të mbahet rreth datës 1 maj.
