Zhvillimet brenda BDI-së u nxehen edhe më shumë kur kjo parti njoftoi se grupi i zjarrit është vetëpërjashtuar. Ndonëse këta të fundit e kanë mohuar një gjë të tillë, gjendja ndërkohë nuk është përmirësuar. Madje Mexhiti në emisionin Click Plus ditë më parë tha se ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka kërkuar përjashtimin nga partia për fraksionin dhe të gjithë bashkëmendimtarët e tyre.
“Kërkesa e fraksionit qeveritarë, konkretisht një ministri në kryesi, ka thënë që duhet të largohen jo vetëm Izeti, Blerimi, Musa e Nevzati por duhet të largohen edhe bashkëmendimtarët e tyre. Cili ministër e ka thënë? Kreshnik Bekteshi !”, tha Izet Mexhiti – deputet i BDI-së .
Kërkuam konfirmim nga ministri Bekteshi. Ai tha se për këtë do të përgjigjet sonte në emisionin debativ Click Plus në Tv21.
“E kam konfirmuar prezencën në një emision televiziv sonte, besoj se do të ketë edhe pyetje të tilla dhe të gjitha përgjigjet sa i përket çështjeve partiake do t’i merni sonte gjatë emisionit”, theksoi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.
Përndryshe edhe pjesëtari tjetër i fraksionit në BDI, Visar Ganiu, së fundmi përmes një video deklarate iu përgjigj ministrit Bujar Osmani për akuzat se nuk e kanë informuar kryetarin e partisë për bashkëpunimet në nivel lokal.
“Çdo koalicionim apo bashkëpunim dhe për çdo detal nga ato koalicionime e bashkëpunime që kemi bërë në nivel lokal qoftë në periudhën e zgjedhjeve apo dhe pas zgjedhjeve, jemi konsultuar dhe e kemi informuar për gjithçka liderin e partisë, Ali Ahmetin. Gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë me aminin e tij”, tha Visar Ganiu , kryetar i Çairit.
Mexhiti në Click Plus u shpreh që po presin lideri i partisë Ali Ahmeti t’i fton në kafe e t’u sqarojë nëse dhe pse janë përjashtuar nga partia. Sipas tij, fraksioni nuk është vetëpërjashtuar nga partia.