A ka një plan konkret për vaksinim? Qeveria pa përgjigje konkrete

TË FUNDIT

Lideri i VMRO-DPMNE-së e lëvdoi ministrin Filipçe, respektivisht marrëveshjen me Bullgarinë për donacion të vaksinave kundër Covid-19.

-Duhet lëvduar mundin e çdokujt që sa më shpejt që është e mundur t’i marrim vaksinat për COVID për sa më shumë qytetarë të Maqedonisë, bile edhe me ndihmën e fqinjëve! Vetëm do të doja ta pyesja Venko Filipçen – çfarë saktësisht është dakorduar? Kur dhe sa vaksina mund të presim, që të mund të bëhet plan i detajuar?- shkruan Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.

Por, vetëm disa orë pas këtij statusi të Mickoskit në Fejsbuk, VMRO-DPMNE-ja mbajti konferencë në të cilën adresuan kritika për ministrin.

-Kur pothuajse të gjithë tashmë kanë siguruar vaksina dhe kanë filluar vaksinimin kundër koronës, Filipçe nuk e di kah po shkon. Së pari, Filipce tha se vaksinat kundër koronës do të mbërrijnë në fillim të vitit të ardhshëm, kurse pastaj ndryshoi deklaratën, duke thënë se kjo do të ndodhë në mars. Dje shpjegon se si Maqedonia është një treg i vogël dhe se për këtë arsye vaksinat do t’i kemi në gjysmën e dytë të vitit 2021″,deklaroi Marija Andonovska, nga VMRO-DMPMNE.

Por, a ka Maqedonia një plan për furnizim të vaksinave dhe vaksinim? Edhe përkundër pyetjeve të shumta të gazetarëve, nga Qeveria vazhdimisht dalin me po të njëjtën përgjigje.


-Domethënë po e përsëris edhe një herë se po shfrytëzohen të gjitha instrumentet dhe se me kohë kanë filluar të gjitha procedurat. Kemi thënë se janë siguruar 830 mijë për 400 mijë qytetarë. Përveç mekanizmit Kovaks, vazhdojnë edhe negociatat për furnizim të drejtpërdrejtë nga kompanitë që i prodhojnë vaksinat, kurse është paraparë edhe mekanizmi i tretë përmes BE-së”, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.

Tashmë dihet se Bullgaria premtoi një donacion, por nuk dihet sa dhe kur do të mbërrijnë këto vaksina. Është shqyrtuar edhe informacioni për planin e vaksinimit, me çka Qeveria ka detyruar disa institucione t’i përgatisin dhe t’i dorëzojnë në Ministrinë e Shëndetësisë planet e tyre aksionare dhe procedurat për pranimin, sigurinë fizike, shpërndarjen dhe aplikimin për vaksinat kundër Covid 19.

E derisa Maqedonia ende është duke i përgatitur planet e veprimit, vendet fqinje paralajmërojnë se vaksinimi do të fillojë këtë muaj. Përveç Greqisë, kontingjenti i parë i vaksinave ka mbërritur edhe në Serbi. Vaksinimi në këtë vend duhet të fillojë nesër, kurse deri në fund të muajit edhe në Kroaci.