Ligjet me flamur evropian i grindën deputetët e pushtetit dhe opozitës. Në seancën e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, u diskutua mbi propozim ligjin për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë. Që në fillim kur duhej të caktohej rendi i ditës, deputetët e pushtetit dhe ata të opozitës, u grindën. Opozitarja VMRO-DPMNE kërkoi arsyetim për flamurin evropian të këtij ligji duke e akuzuar pushtetin se e keqpërdor të njëjtin. Ky ligj duhet të shkojë sipas procedurës së rregullt me debat më të gjerë me ekspertë, e jo me procedurë të shkurtër, thotë Eli Panova nga VMRO-DPMNE-ja.
“Me propozim ligjin nuk janë paraparë të dhënat për aktet burimore të BE-së me emrin e plotë , numër, datë, e as nuk është treguar akti juridik i BE-së me të cilin është bërë harmonizimi. Për këtë keqpërdorim të LSDM-së, njoftoi OSBE, Komisioni evropian dhe Ambasada e SHBA-ve por edhe Ambasada e Francës që e financojnë këtë Akademinë dhe kundërshtohen me përpjekjet e tyre për reforma në sistemin e jurisprudencës”, tha Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
Por nga LSDM-ja thonë se për këtë ligj nga Ministria e Drejtësisë mendojnë se paraqet harmonizim me rregulloren evropiane.
“Duhet pasur parasysh se Akademia për gjykatës me të vërtetë duhet të japë përgjigje dhe të prodhojë gjykatës cilësorë siç bëhet në Evropë. Gjithsesi se harmonizimi me rregulloren evropiane kërkon që ky ligji të lidhet me flamurin evropian”, vlerëson Zhaklina Llazareva nga LSDM.
Qeveria deri te Kuvendi ka dorëzuar 46 ligje me flamur evropian, prej të cilëve vetëm sot kanë arritur 12 ligje për të cilët pohohet se paraqesin harmonizim me rregulloren evropiane. Mes tyre është ligji për kontroll të drogave dhe substancave psikotropike i cili paraprakisht ishte dorëzuar me procedurë të rregullt, ndërsa pastaj i njëjti ishte tërhequr dhe përsëri dorëzuar me flamur evropian.
