A ka kaluar piku i tronditjes së çmimeve?! Sipas formulës së KRRE-së, mund të ketë stabilizim të çmimeve të derivateve

TË FUNDIT

Gjersa Shtetet e Bashkuara dhe Irani diskutojnë nëse në treg mund të shfaqen 140 milionë fuçi naftë të paplanifikuara që do të ndikojnë në ofertë, pyetja kryesore për qytetarët është nëse nga e hëna do të ketë një rritje të re të çmimeve të derivateve. Sipas llogaritjeve fillestare, bazuar në metodologjinë e Komisionit Rregullator të Energjetikës, goditja më e madhe e çmimit ka ndodhur nga 9 deri më 13 mars, që do të thotë se gjatë javës së fundit, natën midis 16 dhe 17 marsit, kemi udhëtuar me derivatet më të shtrenjta. Por, çfarë mund të presim nga e hëna? Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës për TV21 thonë:

“Çmimet maksimale të shitjes me pakicë të derivateve të naftës përcaktohen sipas Rregullores për formimin e çmimeve maksimale të shitjes me pakicë të disa derivateve dhe karburanteve për transport dhe përfshijnë: çmimet e bursës për produktet e naftës gjatë pesë ditëve të fundit, të publikuara në Platt’s European Marketscan, si dhe lëvizjen e kursit të dollarit ndaj denarit gjatë të njëjtit periudhë pesë-ditore”, thotë KRRE.

METODOLOGJIA E KRRE

Në çmim përfshihen:

• Mesatarja e çmimeve të bursës për derivatet (Platts)

• Kursi i dollarit

• RKE përcakton çmimin maksimal

Për këtë, nëse bëhen llogaritje sipas kësaj metodologjie, e cila bazohet në çmimet e bursës dhe jo në çmimin e naftës Brent, e cila ka rol të madh në formimin e çmimeve rafinerish të derivateve, shihet se deri tani piku i rritjes ka kaluar dhe mund të pritet ose një korrigjim i vogël në ulje ose një rritje minimale prej një deri në dy denarë.

Gjatë periudhës së fundit dizeli në Maqedoni ka shtrenjtuar më shumë se benzini. Arsyeja është se çmimi i dizelit në tregun europian formohet veçmas nga ai i benzinës dhe shpesh reagon më fort gjatë shqetësimeve të furnizimit.

Kjo është për shkak se dizeli përdoret gjerësisht në transport dhe industri, duke përfshirë transportin e mallrave, mekanizimin bujqësor, makineritë e ndërtimit dhe disa procese prodhuese. Për shkak të kësaj strukture të kërkesës, çmimi i tij në bursë mund të rritet më shpejt se ai i benzinës, çka pasqyrohet më pas edhe në çmimet vendase.