A KA IVANOV MUNDËSI LIGJORE?, ËSHTË KËRKUAR AMNISTI PËR TË GJITHË TË DËNUARIT E “27 PRILLIT”

TË FUNDIT

Avokatët e të dënuarve për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, deri te presidenti Gjorge Ivanov, kanë dorëzuar kërkesë me të cilën do të mundësohet që ligjet të vlejnë njëjtë për të gjithë, duke u thirrur në amnistinë që u dha pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet e 27 prillit. Avokati i disa prej të dënuarve, Zvonko Davidoviq, thotë se në shkresën deri te presidenti i shtetit nuk kanë theksuar se kërkojnë amnisti, por se, siç thonë, kërkojnë zbatim të mirëfilltë të ligjeve. Davidoviq theksoi se ai ka parashtruar kërkesë si përfaqësues i tyre juridik, për Dusho Llazarovin, i cili është dënuar me 15 vjet burg dhe Aleksandër Vasillevski – Ninxha, i dënuar me 8 vjet burg, por dhe se të gjithë avokatët dhe kushërinjtë e tyre në mënyrë individuale kanë dorëzuar kërkesë për lirim nga dënimi.

“Iu drejtuam presidentit se me atë që vazhdimisht e thekson gjatë vendosjes së vetos së ligjeve në paraqitjet e tija të fundit, se për zbatim të mirëfilltë të ligjit dhe për mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve, procedurën ta zbatojë në mënyrë praktike për shkak të sigurimit të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe për zbatim të ligjeve dhe respektim të Kushtetutës, duke pasur parasysh se një pjesë e të akuzuarve janë amnistuar, janë lëshuar në shtëpi, dhe ende janë në funksionet e tyre ndërsa ishte e qartë se i kanë hapur dyert e Kuvendit, ndërsa një pjesë e tyre u përballën me dënime drakonike”, deklaroi avokati i disa të dënuarve, Zvonko Davidoviq.

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, thotë se nuk ka mundësi ligjore që të fillohet procedurë për amnisti nga ana e presidentit. Siç thotë ajo, kjo mund të udhëhiqet vetëm përmes ministrisë së drejtësisë.

“Është fshirë neni 11 i Ligjit për amnisti i cili më herët parashihte procedurë të tillë nga ana e presidentit, si dhe në vendimin shfuqizues të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, ky nen nuk është “jetësuar”, përkatësisht nuk ekziston më në sistemin juridik të vendit. Pengesa e dytë del nga fakti që janë shpallur zgjedhjet presidenciale, ndërsa në këtë periudhë nuk mund të ketë amnisti”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Edhe përkundër deklaratave të tilla të ministres Deskoska, Davidoviq megjithatë vlerëson se ekzistojnë mundësi për amnisti për shkak se, siç thotë, gjatë procesit zgjedhor janë të ndaluara furnizimet, por jo edhe vendimet. Megjithatë e lë në dorë të Ivanovit që të vlerësojë se si do të veprojë.

“Atë do ta vendos presidenti, ai më së miri i di autorizimet e tija, për shkak se nuk do të thotë se gjatë procedurës zgjedhore Kushtetuta dhe Ligjet nuk zbatohen më. Nuk është hera e parë që në situatë të tillë dhe me rastin e zgjedhjeve të sillen shumë vendime për shkak të nevojave politike. Kjo nevojë nuk është politike por është e drejtë njerëzore për liritë dhe zbatimin e drejtë të ligjeve”, u shpreh Zvonko Davidoviq, avokat i disa të dënuarve. 

Nga Kabineti i presidentit Ivanov, kërkuam përgjigje se a do të veprojë në bazë të kërkesës së avokatëve dhe kushërinjve të të dënuarve për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, por nuk morëm përgjigje. Përndryshe Ivanov në vitin 2016 solli vendim të njëanshëm për abolim të gjithsej 56 personave të përfshirë në hetimet e Prokurorisë Speciale Publike, me çka pas presionit të opinionit dhe bashkësisë ndërkombëtare, e tërhoqi vendimin.

Përgatiti: Svetllana Unkovska