VMRO-DPMNE përmes referendumit do të përpiqet ta anulojë Marrëveshjen me Bullgarinë. Për këtë në seancën e Komitetit ekzekutiv të partisë që do të mbahet sonte, do të sillet vendim për iniciativën që kryetari i partisë, Hristijan Mickoski paralajmëroi se do ta zbatojë. Këto ditë pritet që të dorëzohet kërkesë deri te Kuvendi që të sjellë vendim që do t’i dorëzohet KSHZ-së për hapjen e zyrave dhe për grumbullimin e 150 nënshkrimeve për mbajtjen e referendumit. Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë që pushteti ta mos e pengojë këtë proces.
“Kjo që është e papranueshme nga kërkesat bullgare është ndryshimi i historisë, identitetit, gjuhës dhe kulturës. Andaj, ne nga VMRO-DPMNE do të diskutojmë mbi këtë temë në komitetin ekzekutiv që do të mbahet sonte, dhe mendojmë se në referendumin të kërkohet që të ndalet vlefshmëria e kësaj marrëveshjeje me të cilën do të vendosnin themelet e bullgarizimit të Maqedonisë. Këtë referendum mund ta realizojmë me grumbullimin e nënshkrimeve të qytetarëve ndërsa këtë iniciativë së pari do ta nënshkruajë kryesia e VMRO-DPMNE-së”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE.
Nënkryetari i LSDM-së, Stefan Bogoev në emisionin e sotëm në TV21, Klik plus tha se me referendumin vetëm do të dëmtohet procesi eurointegrativ i vendit tonë.
“Negociatat filluan, më 15 shtator edhe zyrtarisht duhet të filloj procesi i skriningut, që do të thotë se ky proces tashmë po zhvillohet, procesi ka filluar dhe shteti tashmë lëviz përpara në atë drejtim ndërsa ju tani doni që të bëni hapa retrograde dhe referendum që ka për qëllim, nuk e di çfarë tjetër qëllim mund të ketë përveç qëllimit brendapartiak, për shtetin do të thotë vetëm dëm, përkatësisht e kthen shtetin prapa”, tha nënkryetari i LSDM-së, Stefan Bogoev.
Kryeministri Kovaçevski këtë pasdite është në Sofje në biseda me kreun shtetëror të Bullgarisë për krizën energjetike, por pritet që të bisedojnë edhe për paralajmërimin e partisë opozitare VMRO-DPMNE për organizimin e referendumit me qëllim që të anulohet Marrëveshja dhe ndryshimet kushtetuese që i kërkon Bullgaria.
