Pa maska, pa distancë, disa të pa vaksinuar, me lëvizje të pakufizuar dhe pa u kërkuar certifikatë për vaksinim, po organizohet fushata parazgjedhore në vendin tonë. Edhe përkundër rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse që të respektohen protokollet, drejtori i Institutit për Shëndet Publik dhe anëtar i Komisionit për sëmundje ngjitëse, Shaban Memeti thotë se ata që duhet të jenë shembull, nuk i respektojnë protokollet.
“Aq sa ndoqa këto ditë, nuk respektohen siç duhet, përgjegjësi duhet të mbajnë të gjithë. Nuk ka dallim cila parti politike, tubimi është tubim. Të gjithë mbajnë tubime, ngjarje, mitingje, ata duhet t’u rekomandojnë qytetarëve që t’i respektojnë masat. Së pari ata që i organizojnë nuk i respektojnë, e më pas edhe qytetarët”, tha Shaban Memeti – Drejtor i Instituti për Shëndet Publik.
Të pyetur nëse nevojitet certifikatë vaksinimi për të marrë pjesë në mitingje, duke pasur parasysh se po organizohen tubimeve masive, nga Ministria e Shëndetësisë na u përgjigjën:
“Ministria e Shëndetësisë nuk është organizatore e tubimeve partiake. Apelojmë deri te të gjithë partitë politike që të respektojnë protokollet për mbrojtje nga Kovid-19”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Parashtrohet pyetja, nëse këto tubime janë klasterë dhe çka nëse pas tyre rritet numri i të infektuarve? Nga VMRO-DPMNE thonë se i respektojnë protokollet aq sa munden.
“Përgjegjësi të bart pushteti, për shkak se siç e dini edhe Ministri i Shëndetësisë edhe e gjithë Qeveria paralajmëruan se deri në fund të gushtit do të jemi vend Kovid-free, megjithatë siç shohim numri u rrit, nuk pres më përgjegjësi nga ajo pjesë, që ndonjëri prej tyre të bart përgjegjësi, po shoh se si po bëjnë shaka ata të cilët duhet të bartin përgjegjësi për ato 14 të vdekur në spitalin e Tetovës”, potencoi Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM dhe BDI nuk morëm përgjigje, por nëse pamjet mund të flasin, atëherë mund të vijmë në përfundim se protokollet kundër kovidit nuk respektohen plotësisht.
