A ËSHTË ENDE GJALLË KONSENSUALITETI? PARTNERËT E ZAEVIT KANË RËNË NË QETËSI

TË FUNDIT

Me mbarimin e rrethit të parë të zgjedhjeve Presidenciale, Bashkimi  Demokratik për Integrim ka rënë në qetësi. Nuk thërret më as në tubime. Mjafton të shihet faqja e BDI-së në Facebook, ku postimet e fundit ‘pro’ kandidatit konsensual i kanë bërë para 5 ditësh. Në e-mailet e redaksive nga BDI nuk ka ardhur asnjë thirrje për ndonjë tubim, për dallim prej LSDM-së që vazhdon kampanjën intensive. Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së Izet Mexhiti thotë se fushata po vazhdon, por në formë tjetër.

“Fushata është e kombinuar, janë paraqitjet publike, debatet televizive, takime me shtabet dhe e them me plot përgjegjësi se shtabi i Bashkimit Demokratik për Integrim është i angazhuar fuqimisht që ky proces të përmbyllet me sukses dhe në fund kandidati i përbashkët, z.Pendarovski të jetë president i Maqedonisë”, u shpreh Izet Mexhiti nga BDI.

Mexhiti gjithashtu mohon zërat se BDI nuk dëshiron arritjen e censusit në rrethin e dytë, që me këtë detyrën e presidentit ta ushtrojë kryeparlamentari Talat Xhaferi.

“Nuk kemi aspak dilemë që duke e udhëhequr një nga postet kyçe në shtet, ta lëmë këtë dhe të vrapojmë pas tjetrit”, tha Izet Mexhiti nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Por deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski për këtë ka dyshime. Ai i tha TV21 se LSDM dhe BDI po aktrojnë sikur s’po merren vesh dhe po i përdorin inatet e Muhamed Zekirit dhe Sulejman Rexhepit që të shkaktojnë dalje edhe më të ulët, që të mos arrihet pragu zgjedhor e me këtë president të bëhet Xhaferi.

Profesori universitar Arbër Çeliku poashtu dyshon në konsensualitetin e partnerëve qeverisës, e këtë e sheh përmes zhvillimeve të fundit që i quan të nxehta dhe veprime të gabuara politike.

“Nuk e di LSDM-ja a është më për Presidnetin konsensual”.

Pse mendoni se LSDM-ja mund të jetë tërhequr nga Presdiendeti konsensual?

“Në mes të fushatës të hapësh tema që kanë të bëjnë me rikonstruim të qeverisë, me pastrim të ministrave me pastrim të shumë gjerave, për mua nuk është e arsyeshme nga ajo që e njoh unë, të paktën të ishte pritur, të zgjidhej presidenti dhe pastaj të kishin vazhduar proceset e ndryshme politike shoqërore”, theksoi profesori universitar, Arbër Çeliku.

Herën e fundit që Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur tubim për përkrahje të kandidatit, ka qenë para 21 prillit. Përveç tyre në heshtje kanë rënë edhe partnerët tjerë të koalicionit, si Partia Demokratike Shqiptare dhe Alternativa.

Përgatiti: Besir Arifi