A do të paguajnë qytetarët provizione të larta bankare? Sllaveski kërkon kufizim – Koçoska thotë se nuk janë materie ligjore

TË FUNDIT

Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, pas një viti sërish e aktualizoi çështjen e provizioneve bankare. Në një postim në rrjetin social “X”, Sllaveski bëri thirrje për shqyrtimin e ndryshimeve ligjore me të cilat Bankës Popullore do t’i mundësoheshin mekanizma për mbrojtje më të madhe të përdoruesve të shërbimeve të pagesave dhe për kufizimin e disa tarifave bankare, sipas shembullit të disa vendeve evropiane.

“Banka Popullore aktualisht nuk ka kompetencë ligjore për t’i rregulluar drejtpërdrejt komisionet që i ngarkojnë bankat. Megjithatë, zhvillimet aktuale tregojnë se është e nevojshme të shqyrtohen mundësitë për plotësimin e kornizës ligjore, sipas shembullit të disa vendeve evropiane”, tha Trajko Sllaveski – Guvernator i Bankës Popullore.

Thirrja e Sllaveskit vjen pasi disa banka paralajmëruan rritje të provizioneve për shërbimet në qarkullimin e pagesave, gjë që ka shkaktuar reagime në publik. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për rritje me përqindje dyshifrore. Sipas Guvernatorit, aktualisht nuk ekzistojnë arsye të justifikuara ekonomike për një hap të tillë. Sllaveski shpjegon se në një numër të konsiderueshëm vendesh evropiane ekzistojnë mekanizma për kufizimin e kostove bankare, të cilat sigurojnë kushte të drejta dhe të parashikueshme për qytetarët dhe kompanitë. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e pyetur për mundësinë e kufizimit të komisioneve bankare, tha se “tarifat nuk janë pjesë e materies ligjore, asnjëherë nuk kanë qenë”.

“Tarifat nuk janë materie ligjore, kështu që nuk kam më shumë çfarë të shtoj. Ajo që është materie ligjore ne e shqyrtojmë. Tarifat nuk janë pjesë e materies ligjore”, deklaroi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska.

Ndërkohë, bankat vendore e përfunduan vitin 2025 me fitim prej rreth 304 milionë euro. Vitin e kaluar nga provizionet dhe tarifat kanë inkasuar mbi 196 milionë euro, nga të cilat u kanë mbetur neto mbi 118 milionë euro.