A do të kemi zgjedhje me lexues gishti?

TË FUNDIT

A do të arrihet që në kohë të blihen dhe të konektohen terminalet për lexues të gishtit për zgjedhjet lokale? Pasi që ministri i financave, Fatmir Besimi tha se do të ketë para nga Buxheti, kryeministri, Zoran Zaev e thirri njeriun e parë të KSHZ, Aleksandër Dashtevski, që sa më shpejtë të fillojë procedurën për blerjen e tyre. Kjo zgjidhje është obligim ligjor dhe duhet të plotësohet, porositi ai.

 “Do të bëjë gjithçka që të blejmë dhe kjo varet nga ne. Ministri i financave reagoi konkretisht, ka para në buxhet, nëse mungojnë do kemi rebalanc, sigurisht që kjo të bëhet, lëshuam letër nga ana e financave që të mund kryetari i KSHZ dhe e gjithë KSHZ menjëherë të fillojnë procesin e blerjes së pajisjeve për fingerprint, përkatësisht gjurmë gishti. Besoj se ka teknologji bashkëkohore evropiane dhe kjo mund të bëhet shpejtë, kemi procedura të qarta në shtet, deri te zgjedhjet kemi rreth 8 muaj për të cilat mund të arrijmë. Apeloj që KSHZ shpejtë të fillojë procedurën e tillë”, theksoi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Shefi i opozitës, Hristijan Mickoski thotë se nuk është e mjaftueshme ajo që kryeministri ka bërë thirrje për blerjen e pajisjeve, por duhet angazhim i plotë për të siguruar të gjithë mjetet e nevojshme.

 “Ja po themi se ministri i financave i ka mjetet dhe se ato mjete do t’i ketë në dispozicion KSHZ-ja, atëherë le t’i thërrasim të gjitha organet shtetërore që janë në mënyrë direkte apo indirekte pjesë e kësaj procedure dhe t’i ndihmojnë KSH-së, siç është MPB-ja. Nuk shoh se pse ne tani 7 muaj para fillimit të fushatës ta mos e mbyllim këtë proces2, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Siç mëson TV21 këto ditë Dashtevski do të zhvillojë takime në Ministrinë e punëve të brendshme ku do të bisedojë për përcaktimin e mënyrës së funksionimit të të ashtuquajturve Fingerprinteve përkatësisht për konektim me bazën e MPB-së. Përndryshe, nëse deri në zgjedhjet lokale nuk blihen terminalët për gjurmën  e gishtit dhe nëse zgjedhjet nuk mbahen sipas këtij parimi, VMRO-DPMNE-ja seriozisht mendon që t’i bojkotojë zgjedhjet përkatësisht të mos marrë pjesë  në to. Vendimin e këtillë e arsyetojnë duke thënë se pushteti përgatit falsifikim, përkatësisht se nuk duan t’u vidhen votat siç ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare.