A do të japin dorëheqje edhe zyrtarët tjerë të ASH-së të cilët e përkrahin Taravarin? I fundit që dha dorëheqje është Blerand Ramadani i cili ishte Koordinator Nacional për Implementimin e Teknologjive të Reja është. Ai është Sekretari Gjeneral i ASH-së dhe thotë se është vendim i kryesisë qendrore që t’i dorëzojnë postet qeveritare. Sipas tij, pjesa e mbetur që akoma nuk kanë dhënë dorëheqje, presin rikonstruimin e qeverisë, por siguron se ASH është kompakte dhe shumica do t’i qëndrojnë parimit të kryetarit të tyre Taravari.
“Është një situatë ku ne duhet ta mendojmë faktin se nuk jemi në qeveri vetëm për pozita dhe karrige, kjo është bindja e thellë edhe e kryesisë edhe anëtarësisë së ASH-së. Ditëve dhe javëve në vijim ju do ta shihni se sa është kompaktësia e ASH-së. Individ, të cilat menduan se funksioni është mbi parimet dhe dinjitetin, ndoshta ata do të qëndrojnë duke i ruajtur pozitat, por besoni se asnjëherë funksioni dhe karrige nuk mund të jenë mbi parimet dhe vendimmarrjen me konsensus brenda një subjekti, ku ti ke vendosur të veprosh”, tha Ramadani.
Nga ana tjetër zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se pozitat që i kanë takuar VLEN-it, pavarësisht a ka qenë hise e ASH-së, do të mbeten të VLEN-it. Ai iu bën thirrje strukturave të ASH-së të vazhdojnë të mbeten në pushtet dhe t’i bashkëngjiten partisë VLEN.
“Unë mendoj se edhe në të kaluarën edhe tash kemi të bëjmë me atë që ASH-ja mbetet e përcaktuar aty ku ishte si pjesë e VLEN-it, si pjesë e ndryshimeve. Ka hise, ka kontribut në fitoren e VLEN-it dhe në rotacionin politik që ka ndodh. Këtu ka devijuar lideri i tyre, të cilin normal që mund ta kuptoj nëse i ka borxh z.Ahmeti. Por, nuk duhet edhe gjithë të tjerët të devijojnë për shkak të saj nga rruga”, tha Mexhiti.
Një nga liderët e tjerë të VLEN-it, kreu i Besës Bilall Kasami tha se të vetmit të padëshiruar në VLEN do të jenë ata që do të bashkëpunojnë me BDI-në e Ali Ahmetit.
“Këtë lojë nuk e nisëm ne! Ali Ahmeti nuk u desh të futet në lojëra të tilla për të tërhequr deputetë apo edhe individë të caktuar sepse mekanizmat për të marr do të kisha thënë deputetë duke qenë pjesë e qeverisë janë shumë më të mëdha, por nuk ka qenë fokusi jonë aty”, deklaroi Kasami.
Përveç Ramadanit, deri më tani dorëheqjen e kanë dorëzuar Arben Taravari, Flakron Bexheti dhe Elfete Ismaili, por ka ende zyrtarë tjerë të cilët mbajnë funksione ndërsa mbështesin Taravari. Disa prej tyre janë edhe Garip Kaba, zëvendësdrejtor i Doganave, Nazim Taipi zëvendësdrejtor i NPRRSH, e të tjerë.
