A do të bëhet e famshme Reçica e vogël? Zaev e Mickoski lënë të hapura mundësitë për koalicione

TË FUNDIT

Reçica e Vogël do të bëhet më e famshmja në rajon nëse Bashkimi Demokratik për Integrim prin me mandate në zgjedhje, pati deklaruar kreu integrist Ali Ahmeti.

“Do të fillojnë negociatat e mëdha. Do të fillojnë tryezat e mëdha. Do të bëhet Reçica e vogël më e famshme në rajon”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev gjatë fushatës thoshte që BDI-ja, me idenë e saj për Kryeministër shqiptar, duhet të shkojë në opozitë.

“А ДУИ заминува во опозиција! Pse jo, BDI në opozitë?!”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Dy ditë pas kësaj deklarate, BDI uli tonet. Në këtë e-mail drejtuar redaksive, integristët shprehnin “keqardhje për komentet e Zaevit”, i uronin LSDM-së suksese si dhe “vazhdim të bashkëpunimit”, duke shkruar se “shpresojnë që bashkëpunimin e tyre të suksesshëm ta vijojnë edhe pas zgjedhjeve të 15 korrikut”.

Zaev, mbrëmë kur po festonte fitoren dhe u pyet se kush do të jetë partneri i tij qeveritar dhe nëse do të koalicionojë sërish me BDI-në, nuk përjashtoi asnjë mundësi.

“Fillimisht varet nga rezultatet, e gjithsesi në kohë do të themi saktë se me kë kemi hapësirë më të madhe për të bërë koalicion”, tha Zaev.

I gatshëm për të biseduar me BDI-në dhe partitë e tjera, është edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, edhe pse ka 1 ose 2 deputet më pak se LSDM-ja. I pyetur për kryeministrin shqiptar, ai tha se nuk punon me kushtëzime.

 “Unë këto ditë në mënyrë shume decide dhe eksplicite kam thënë se jam i gatshëm për të biseduar, sepse kredibiliteti që bart VMRO-DPMNE-ja në këto zgjedhje është më i madh, por ajo për të cilën nuk jam i gatshëm të bisedoj është kjo që përmendni ju, sepse unë nuk punoj nën diktat”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Për të mos u kushtëzuar me idenë për Kryeministër shqiptar, Zaev gjatë fushatës pati shprehur idenë e shkëmbimit të votave mes LSDM-së dhe DPMNE-së për formim të qeverisë, e i pyetur për këtë ide, Mickoski me përgjigje:

 “Siç kam thënë gjatë fushatës, me njerëz që janë të dyshuar për krim, nuk kam ndër mend të koalicionoj”, potencoi Mickoski.

Sa i përket respektimi të parimit “fituesi me fituesin”, Mickoski tha se ky parim është thyer që në vitin 2017, ndërsa shtoi se duhet të gjendet shumicë në Kuvend që do të ketë më së paku 61 deputetë për formimin e qeverisë.