A do të arrihet sot “ujdia” e sigurimeve në Bruksel

TË FUNDIT

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të takohen sot në Bruksel, me ç’rast pritet të diskutojnë sa i përket zbatimit të Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve.

Në këtë takim të ndërmjetësuar nga BE dhe Këshilli i Byrove Evropiane do të diskutohet për aspektet teknike të zbatimit të Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar me 23 qershor në Bruksel në prani të kryeministrave të dy vendeve atij të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Po ashtu, gjatë këtij takimi do të diskutohet për të gjitha aspektet teknike të përgatitjeve për fillimin e mbarë të zbatimit të kësaj marrëveshje sipas planit zbatues dhe për të cilën të dyja palët do të raportojnë për përgatitjet e duhura.

Delegacioni kosovar një ditë më parë ka bërë të ditur se Marrëveshja në fjalë duhet të zbatohet në plotni, sa më parë që është e mundur dhe jo më larg se 10 gushti i vitit 2015.