Gjatë kësaj jave do të dihet nëse do të ketë marrëveshje rreth Ligjit për Shtetësi. Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se ditëve në vijim do të takohet me deputetët e Koalicionit ASh-AAA, kurse do të mbajë takim edhe me ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
“Kam takim me ministrat për punë të brendshme dhe për drejtësi dhe me disa institucione adekuate që të përfundojmë atë që ishte obligim i ynë nga takimi i parë për pranimin e sugjerimeve nga palët, nga dy partitë opozitare, ASH-AAA dhe të mundet që të mërkurën-enjten apo të premten ta caktojmë takimin në suaza të së cilit, normalisht, pres që të gjejmë zgjidhje të përhershme për marrjen e shtetësisë nga qytetarët tanë që nuk posedojnë shtetësi”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.
Zaevi u apeloi deputetëve t’i tërheqin amendamentet e tyre dhe ta zhbllokojnë Kuvendin me qëllim që të mund të miratohet pakoja e pestë masash e cila parasheh ndihmë për të gjithë të prekurit nga covid-kriza. Por, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, i cili vjen nga radhët e Aleancës për shqiptarët, mbrëmë në “Click Plus” të TV21 tha se nuk e kanë ndërmend ta zhbllokojnë Parlamentin derisa nuk sillet Ligji për Shtetësi.
Arben Taravar: “Me një kryeministër i cili qëndrimet i ndërron dy herë, tre herë, deri pesë herë në ditë nuk do i besonim se ne e përgatitëm ligjin”.
TV21: A ma thoni tekstualisht pra, pa u votuar ligji për shtetësinë, juve nuk e debllokoni kuvendin, i bie kështu saktë?
Arben Taravari: “Definistivisht. Ne kërkojmë që ligji të zgjidhet të hyjë në votim. Ne kërkojmë që ta zgjidhim atë, të shohim se kemi pajtim nga të gjitha grupet parlamentare, se kalon ligji, apo së paku të kemi 61 vota për ta votuar dhe e kemi zgjidhë problemin. Nuk e kemi kompleks që ky ligj të quhet ligj i ASH-AAA, le të quhet i LSDM-së dhe BDI-së”.
Shefi i opozitares VMRO-DPMNE, tha se ata do të presin rezultatin nga takimi mes Zaevit dhe ASH-AAA, e më pas do të vendosin si të veprojnë, por vlerëson se pa marrë parasysh rezultatin, nuk duhet të bllokohet pakoja e 5-të.
