A do ta ndryshojë regjistrimi numrin e votuesve? KShZ: Në listë zgjedhore janë edhe shtetasit që jetojnë në diasporë

TË FUNDIT

Nuk janë të njëjta metodologjitë për Listës së votuesve dhe ajo me të cilën është kryer Regjistrimi i popullsisë, thonë nga Komisioni i Zgjedhjeve të pyetur nëse pas regjistrimit do të ketë ndryshime në numrin e trupit votues.

Shtojnë se lista e zgjedhësve mbahet sipas Regjistrit të shtetasve, ndërsa në Listën zgjedhore regjistrohen të gjithë qytetarët që deri në ditën e votimit kanë mbushur moshën 18 vjeç, kanë letërnjoftim ose pasaportë e vlefshme dhe që kanë vendbanim në Maqedoni.

“Në Listën zgjedhore përfshihen edhe të gjithë shtetasit të cilët janë me punë të përkohshme ose me qëndrim jashtë vendit, me vendbanim në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me pasaportë të vlefshme. Këta persona janë të regjistruar sipas vendbanimit të tyre të fundit në RMV. Të dhënat për regjistrimet në Listën zgjedhore, në përputhje me nenin 43 të Kodit Zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i merr nga Ministria e Brendshme”, thonë nga KShZ.

TV21 gjatë ditës u përpoq që më gjerësisht për këtë temë të intervistojë kryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, i cili nuk pranoi të flasë, duke u mjaftuar me përgjigjen me shkrim.

E për këtë temë, zëvendësdrejtori i Entit të Statistikave, Ilmi Selami, thotë se duhet të bëhen dallime mes atyre që kanë të drejtë vote dhe atyre që janë me vendbanim.

“Duhet të bëjmë dallim të qartë mes asaj se çka është e drejt vote dhe çka është banim me një vendbanim. D.m.th e drejta e votës fitohet me nënshtetësi, ju sapo merrni nënshtetësinë dhe i mbushni 18 vjet fitoni të drejtën për të qenë i votuar dhe votuar”, tha Selami.

Përndryshe, të dhënat nga Regjistrimi 2021 janë vetëm për rezidentët, ndërsa siç tha Selami, më 30 prill do të dihen edhe se nga cilat komuna janë të regjistruarit jorezidentë.