Ministri i punëve te brendshme Oliver Spasovski e mbështet idenë për ndryshimet kadrovike në kabinetin qeveritar. Në pyetjen se a do të përfshihet edhe ai në fshesën e Zaevit, Spasovski u përgjigj:
“Unë e mbështes kryeministrin Zaev, për procedurën e rikonstruimit të Qeverisë, sepse mendoj se duhet pasur edhe rikonstruim, edhe zëvendësim të kuadrove të caktuara mbi bazë të kritereve të cilat do të konfirmohen, punës dhe angazhimeve. Dua t’ju informoj se këtë mua fare nuk më tangon. Unë edhe tani punoj njëjtë sikur ditën e parë. Në qoftë se merret vendimi i tillë, vetëm të dini se fati im, nuk mund të jetë më i rëndësishëm se fati i të gjithë njerëzve në vend. Secili funksionar duhet të sillet ashtu”, deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Kryeministri Zoran Zaev ende nuk ka përmendur asnjë emër, se cili funksionar do të shkarkohet, por vetëm paralajmëroi se ndryshimet do të vijnë për të eliminuar dobësitë në pushtetin ekzekutiv.
E disa nga ministrat e BDI-së thonë se për ta vendos lideri i tyre Ali Ahmeti.
“Ne jemi partner të koalicionit me LSDM-në si BDI, dhe nuk jemi me një ombrellë të përbashkët me LSDM-në. Ne kemi kryesinë tonë dhe liderin e partisë Ali Ahmeti. Ai vendos”, theksoi Sadulla Duraku, Ministër i Ekologjisë.
“Sipas thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev, me siguri ai do të bisedojë të gjitha gjërat me liderin tonë”, u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Sigurisht jemi të fokusuar në punën që e bëjmë, maksimalisht jemi të fokusuar në resorin dhe obligimin nga punët që rrjedhin në ministri dhe vazhdojmë me dinamikën e paraparë”, tha Arbër Ademi Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Një ditë më parë zv/kryeministrja Radmilla Shqerinska, tha se nuk duhet të fokusohemi vetëm në ndryshime personale, por duhet të ketë ndryshime në sistemin e vendimmarrjes.
Ndryshe “fshesa” në Qeveri u paralajmërua pas rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, për të cilat Zaev nuk ishte i kënaqur.
Përgatiti: Zimer Jashari
