Djegia e kallamit në Liqenin e Ohrit është rasti i vetëm për të cilin Inspektorati për Mjedisin Jetësor ka ngritur kallëzim penal vitin e kaluar, tregoi drejtori i ISHAJ, Sreten Stojkovski në intervistën javore të REL. Nga ana tjetër të gjitha procedurat për ndotësit kanë qenë thjesht kallëzime për shkelje. Sa i përket mbeturinave të rrezikshme në Gjorçe Petrov të Shkupit ku u larguan mbi 500 tonë mbeturina nga akumulatorë të shkrirë, ende nuk është vendosur nëse do të shkohet me kallëzim apo me padi penale.
“Inspektorët janë të pavarur në veprim, ata do ta sjellin vendimin si do ta udhëheqin procedurën më tej dhe nëse do të shkojnë me padi penale. Ju e dini se me ndryshimet e Kodit Penal u përfshi vepra “Ekocid”, kështu që inspektori do të vlerësojë nëse do të shkohet me kallëzim ose do të shkohet me padi penale sipas Kodit Penal, gjegjësisht sipas nenit 230 për ndotje të ambientit jetësor dhe natyrës”, tha Sreten Stojkovski, drejtor i IShAJ.
Por sa kallëzime penale janë ngritur këtë vit nga Inspektorati për Mjedis Jetësor? Drejtori Stojkovski thotë se në total janë ngritur kallëzime në vlerë prej 600 mijë eurove. Një pjesë e tyre janë dorëzuar në komisionin pranë Ministrisë për Mjedis Jetësor e pjesa tjetër në gjykatat kompetente. E derisa jemi në prag të sezonit së ngrohjes, drejtori Stojkovski paralajmëron se do të ketë sanksione për ata që tejkalojnë shkallën e ndotjes.
“Ne i kontrollojmë të gjitha lejet A-integruese dhe emetimet e tyre. Atje ku ka monitorin të vazhdueshëm e ndjekim të njëjtin. Të tjerat ku kanë elaborate për mbrojtje të ambientit jetësor, sipas propozimeve në elaborate për matje, i kërkojmë matjet nëse janë bërë. Nëse i tejkalojnë matjet, i sanksionojmë”, shtoi Stojkovski,
Drejtori Stojkovski siguron se të gjitha spitalet qoftë të shëndetit primar apo sekondar, kanë përgatitur elaborate dhe i respektojnë masat. Një pjesë e tyre ngrohen me gaz, por disa spitale ende shfrytëzojnë mazutin për ngrohje.
