A bëhen punësimet në baza etnike? Fronti Europian akuzon, Taravari mohon

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, ka publikuar një status në Facebook, duke akuzuar pushtetin e mëparshëm se kanë keqpërdorur qytetarët duke i punësuar me kontrata në vepër, e që më pas duke i kushtëzuar me vota në zgjedhje. Të njëjtit siç ka shkruar Taravari, nuk janë paraqitur fare në vendin e punës. Kjo sipas Taravarit më nuk do të ndodhë dhe punësimet thotë se nuk do të bëhen në baza etnike. Pikërisht kjo e fundit, shkaktoi revoltë te Fronti Europian. Siç thonë, Taravari dëshiron të arsyetojë ndërprerjen e kontratave dhe largimin e qindra shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

“Arben Taravari në postimin e tij në Facebook thotë se ka ikur koha kur njerëzit dalloheshin në baza etnike gjatë punësimeve, duke tentuar të arsyetojë ndërperjen e kontratave dhe largimin e qindra shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Kjo deklaratë e Taravarit është në një vijë me deklaratat e Mickoskit, Stoilkoviçit dhe Dimitrievskit, kundër Balansuesit dhe kundër parimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera jo shumicë në vend”, thonë nga Fronti Europian.

Por ministri Taravari thotë se Fronti Europian e ka keqinterpretuar statusin e tij. Qëllimi siç thotë, është që punësimet të bëhen në bazë të meritokracisë sepse siç edhe ka shkruar në Facebook, punësimi është një vend që fitohet me meritë.

“Ato kërkojnë çdo gjë, çdo presje ku vendoset dhe ku nuk vendoset. Edhe një “ë” nëse mungon në ndonjë fjalë, ato menjëherë komplikojnë. Kam thënë se, fjalia pas asaj është se nëqoftëse, jemi shumë më të lumtur do të ishim që sa më shumë shqiptarë të punësohen edhe unë jam krenar për atë, sa më shumë shqiptarë të kyçen. Por meritokracia është shumë me rëndësi sidomos në institucionet profesionale, sidomos në shëndetësi. Nuk mund të kërkosh një gjinekolog që është shqiptar, ose një urolog që duhet të jetë maqedonas, nuk shkon”, deklaroi Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë.

Siç ka njoftuar Taravari, nëse janë ndërprerë 10 kontrata, nëpërmjet konkurseve janë pranuar 60 punonjës të rinj, mes tyre dhe shumë shqiptarë.