Deputetët e Kosovës më të papërgatiturit në rajon

TË FUNDIT

Deputetët nga Kosova zënë vendin e dytë në rajon për shpenzime të kryera gjatë fushatës zgjedhore. Ata prijnë me lëvizje nga një parti në tjetrën. Janë më të interesuarit për anëtarësim në Bashkimin Europian. E sa i përket edukimit të tyre profesional, për burime njerëzore, dalin të jenë të përgatitur më së paku në rajon.

Por, gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët për deputetë nga Kosova prijnë me përdorim të rrjetet social Facebook. Ndërsa një e përbashkët e të gjithë kandidatëve për deputetë në të gjitha vendet e rajonit është së dalin të jenë pjesë e sindikatave të ndryshime, më së shumti në ato të punëtoreve dhe preokupimi me të njëjtat probleme që i prekin qytetarët e vendeve të tyre. Këto të dhëna dalin nga një hulumtim i kryer nga organizata KIPRED.

Përmes një pyetësori, ata kanë nxjerrë qëndrimet dhe qasjen e tyre si kandidatë për deputetë në kohën e fushatave zgjedhore. Por, jo të gjithë që u intervistuan janë aktualisht deputetë.

Nga pyetësor ka dalë se kandidatët për deputetë nga Kosova janë më pak të angazhuar në klube biznesi, shoqata sportive, shoqata për të drejtat e njeriut shoqata fetare dhe ato të mjedisit të hapur.

Të pyetur për rastet kur duhet të votojnë e mendimi i tyre nuk përshtatet me të subjektit, deputetët nga Kosova kanë thënë se votojnë sipas mendimit të tyre derisa të tjerët nga rajoni kanë thënë se marrin parasysh edhe mendimin e subjektit politik që i takojnë.

Sa i përket edukimit të tyre profesional, për burimet njerëzore, del se kandidatët për deputetë nga Kosova janë të përgatitur më së paku në rajon. Ndërsa sa i përket aktivitetit të tyre politik jashtë fushatës zgjedhore, një mesatare e përgjithshme javore është 10 orë, që kanë punuar lidhur me partitë e tyre politike.

Gjithashtu nga ky raport del se më optimistët se do të fitojnë zgjedhjet kanë dalë të jenë malazezët e pastaj kosovarët.
“Sa i përket shpenzimeve cilat i kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore mund të themi që kandidatët për deputetë nga Bosnja Hercegovina kanë bërë shpenzimet më të mëdha, pra 7 mijë e 500 euro del që kanë bërë shpenzime gjatë fushatës zgjedhore, pastaj vijnë deputetët nga Kosova nga 4 mijë e 100 euro me një mesatare, pastaj vjen Mali i Zi me 2 mijë e 400 euro dhe ata nga Serbia me nga 1 mijë euro”, tha Gent Gjikolli nga KIPRED, duke treguar shkurtimisht raportin.

Ndërsa, nga metoda se si janë shfaqur dhe si e kanë shfrytëzuar kohën gjatë fushatës zgjedhore, del se kandidatët për deputetë nga Kosova më së shumti e kanë përdorur rrjetin social Facebook. Por, kanë shfrytëzuar edhe platforma tjera si fletushka personale, ueb faqe personale, gjë që kjo del të jetë e përbashkët edhe me kandidatët nga rajoni.

Një e përbashkët tjetër, ka dalë të jetë përdorimi i pakët i rrjetit social twitter, reklamat personale në gazeta dhe në kanalet në youtube.

Gjithashtu, të gjithë i ka bashkuar edhe preokupimi për të njëjtat probleme që i prekin qytetarët e vendeve të rajonit.

Ndërsa sa i përket demokracisë dhe përfaqësimit ka dalë se pothuajse të gjithë të anketuarit janë të pakënaqur me mënyrën sesi funksionon demokraci në vendet e tyre.

Blerim Myrtezi tregoi se nga pyetësori ka dalë se deputetët nga Kosova kanë interesimin më të madh për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Anëtarësimi në Bashkimit Europian del të jetë një objektivë më e çmuar për deputetët nga Kosova, sesa për deputetët nga vendet në fjalë. Gjithashtu, të anketuarit nga Kosova janë më të kënaqur me sundimin e demokracisë në vendet e BE-së në krahasim me deputetët nga Bosnja Hercegovina, Serbia, dhe Mali i Zi. Në përgjithësi të anketuarit si shpëtim nga kriza ekonomike e shohin Bashkimin Europian dhe F ondin monetar Ndërkombëtar”, tha ai.

Ai tha se nga raporti flet se në Kosovë mbetet niveli më i lartë i të papunëve kandidatë për deputetë.

Nga raporti i KIPRED del se në kandidatët për deputetë dominon gjinia mashkullore. Mosha e tyre sillet rreth 45 vjeç, veçse në Serbi vërehet një moshë më e re.

Ky hulumtim është pjesë e një projekti rajonal hulumtues për ndikimin e votës personale në demokracinë e brendshme të partive politike. Projekti përkrahet financiarisht nga qeveria zvicerane, nga i cili është synuar të nxjerrët sfondi politik dhe aktivitetet i kandidatëve për deputetë, fushata zgjedhore, pikëpamjet e tyre politike, përfaqësimi dhe sfondi personal.