Pas protestës së 23 prillit, Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe e Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore të Kosovës, ka paralajmëruar se do të vazhdojë me ngulm të kërkojë plotësimin e kërkesave të tyre, duke përdorur edhe masa të tjera ligjore e demokratike.
“Duke qenë se Komuna e Prishtinës injoroi në vazhdimësi kërkesat tona, ishim të detyruar të zgjedhim rrugën e protestës. Ne ua bëjmë me dije zyrtarëve komunal, se kësisoj do të vazhdojmë dhe nuk do të lodhemi deri në plotësimin e kërkesave tonat, si kërkesa të drejta, parimore e profesionale” thuhet në shkresën e kësaj Shoqate.
Ata po ashtu reaguan ndaj nënkryetarit të Komunës Dardan Sejdu, që sipas tyre po i ofendon duke i etiketuar të gjithë ndërtuesit si mafi e ndërtimit. “Vrazhdësia e tij dhe qasja arrogante, paraqet në vete, arrogancën e Komunës së Prishtinës karshi kërkesave të ndërtimtarëve dhe vetë nevojave të qytetarëve të Prishtinës. Shoqata dënon gjuhën joinstitucionale të përdorur nga z. Sejdiu dhe është e bindur se etiketimet që ai i bën për ndërtimtarët, nuk e ndihmojnë kapërcimin e problemeve”, thuhet në komuikatë.
Ata thonë së Komuna i ka keqkuptuar: “Duam ta bëjmë të qartë, në rast se zyrtarët komunal nuk e kanë kuptuar siç duhet kërkesën tonë, ne aplikojmë për leje ndërtimi, pikërisht sepse nuk duam të punojnë pa leje – pra ne nuk po aplikojmë për të punuar pa leje, por për të punuar me leje!”
Sipas tyre kërkesat dhe protesta, nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën, “të tilla devijime bëhen nga ana e tyre me qëllim për t’iu ikur përgjegjësisë, diçka e papranueshme për ne dhe do ta kundërshtojmë edhe me hapa tjerë nga ana jonë” thuhet më tej.
Ata presin reflektim të arsyeshëm të zyrtarëve komunal, respektim të ligjit dhe bashkëpunim të meritueshëm me shoqatën, në të kundërtën ata paralajmërojnë se do të vazhdojmë me masa të tjera ligjore e demokratike deri në plotësimin e kërkesave. /21MEDIA
