"Serbia duhet të jap përgjigje për zhdukjen e njerëzve tanë"

TË FUNDIT

Sot, në Kosovë shënohet Dita Kombëtare e të Pagjeturve. Nga numri i përgjithshëm i personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, kanë mbetur mbetur edhe 1800 njerëz, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Kuvendi i Kosovës mban sot një seancë plenare kushtuar 27 Prillit, Ditës së Personave të Pagjetur të Luftës. 

Më rast e shënimit të kësaj dite, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, thekson se për familjarët, por edhe për Kosovën, janë shumë vite të ditëve të ankthit dhe të pritjes për më të dashurit e tyre.Në një publikim që ka bërë në rrjetin social facebook, kryeministri Mustafa shkruan ‘Serbia duhet të jap përgjigje për zhdukjen e njerëzve tanë, për krimet monstruoze që forcat ushtarake e paramilitare të saj i kryen në Kosovë’. Ata që bënë krime, sipas Mustafës, duhet të dalin para drejtësisë. “Qeveria e Republikës së Kosovës do të shfrytëzojë të gjitha institucionet ndërkombëtare për të kërkuar zbardhjen e të pagjeturve, kthimin e tyre dhe dorën e drejtësisë ndaj kriminelëve”, shkruan Mustafa.

Po në kuadër të shënimit të Ditës së të Pagjeturve, është paralajmëruar të zbulohet një përmendore dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.

Shënimi i Ditës Kombëtare të Pagjeturve, më 27 prill bëhet për faktin se në këtë datë, në vitin 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe patën vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë të moshës 15 deri 75 vjeç./ 21MEDIA