Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau” se në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Kosovë, ai do të zgjidhet President i vendit, kjo sipas marrëveshjes së koalicionit qeverisës PDK-LDK. Edhe pse zërat se Thaçi pritet që të zërë vendin e Presidentes aktuale, Ahtifete Jahjaga, kanë qenë të shumtë që në krijimin e marrëveshjes mes dy partive, duket se do të zbatohet në vitin 2017. “Sipas kësaj marrëveshjeje, unë do të bëhem President i Kosovës, pasi Presidentja aktuale ta përfundojë mandatin”, ka thënë Thaçi për FR. Referuar kësaj gazete ministri i Jashtëm aktual i Kosovës, do të prezantojë Kosovën si President në arenën ndërkombëtare. Ndër të tjera, Thaçi ka folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se Serbia duhet të shkëputët nga e kaluara e Millosheviçit dhe të shkojë drejt së ardhmes. Kjo gazetë ka shkruar më tej se Serbinë po e ndjek mallkimi i së kaluarës. Ndërkohë që duket se mes dy vendeve janë normalizuar marrëdhëniet që pas takimeve mes dy kryeministrave të dy vendeve së fundi edhe në Bruksel nën praninë e Frederica Mogherinit, ku Aleksandër Vuçiç u takua me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa, si dhe me zv.kryeministrin Hashim Thaçi.
