Prishtinë: “PYT komunën tënde” – formë e kontaktit me qytetarë

TË FUNDIT

Në ditën kur ndërtimtarët kanë hedhur beton në Kuvendin e Kosovës si shenjë paknaqësie që sipas tyre nuk po kanë ku t’i vazhdojnë punët e tyre , u hap edhe aktiviteti “PYT komunën tënde” .A është kjo një përgjigje apo pyetje drejtuar Komunës?

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte i pranishëm në hapjen e këtij aktiviteti të organizuar nga UNDP, me ç’rast iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të shtrojnë pyetje, pavarësisht se këtë mund ta bëjnë në forma të ndryshme, si përmes rrjeteve sociale, kërkesave të drejtpërdrejta në Komunë, etj.

“Qëllimi është që të tregojmë se si Komunë jemi transparent dhe dëshirojmë që të jemi edhe më të hapur për të diskutuar lidhur me të gjitha problemet që qytetarët i kanë. Ndoshta përgjigja për secilin qytetar nuk do të jetë gjithnjë përgjigjja që ata dëshirojnë ta dëgjojnë, megjithatë jemi të përkushtuar që ta rrisim edhe më shumë komunikimin midis qytetarëve dhe Komunës së Prishtinës”, tha kryetari Ahmeti.

Po ashtu, kryetari Ahmeti paralajmëroi se së shpejti do të fillojë së aplikuari edhe një sistem i ri. Përveç ankesave që bëhen në Komunë dhe përmes thirrjeve telefonike, qytetarët së shpejti do ta kenë mundësinë që edhe përmes ueb faqes zyrtare të shtrohen kërkesat dhe ankesat e qytetarëve, në mënyrë që më pas ato të përcillen në drejtoritë përkatëse.