Propozimi parashikon njëqind milionë euro për Jordaninë dhe Libanin, ndërsa 485 milionë euro për Turqinë.
“BE-ja i ka mbështetur vazhdimisht refugjatët në Turqi, Liban dhe Jordani për vite me radhë. Me kërcënimin nga koronavirusi për më të prekurit, ne nuk duhet ta ndërpresim mbështetjen tonë. Ne jemi të përkushtuar t’i ndihmojmë popullit sirian dhe vendeve që i pranojnë në këto periudha të vështira, ndërsa ndihma humanitare e BE-së do t’i ndihmojë fëmijët të shkojnë në shkollë dhe t’i mbështesin familjet në nevojë”, tha Janes Lenarçiç, Komisar i BE-së për ndihmë humanitare.
Jordani dhe Libani e kanë numrin më të madh të refugjatëve sirianë në territorin e tyre, por BE-ja ka marrëveshje të veçantë me Turqinë që doli nga “kriza e refugjatëve” në 2015, me çka Ankara është e obliguar të ndihmojë në uljen e numrit të refugjatëve që vijnë në territorin e BE-së.
Fondet e caktuara për Turqinë janë të destinuara për organizatat partnere që punojnë me BE-në në terren në komunitetet e refugjatëve. Me këtë ndihmë shtesë, Komisioni Evropian dëshiron t’i zgjasë dy projektet që skadojnë së shpejti, përkatësisht programin e ndihmës sociale dhe programin arsimor. Ata do të vazhdonin deri në fund të vitit 2021, nëse propozimi pranohet nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian.
Fondet për dy vendet e tjera janë gjithashtu të destinuara për qëllime arsimore, por edhe për projekte shëndetësore dhe mbrojtje sociale të refugjatëve nga Siria, por edhe nga Palestina, të cilët ndodhen në kampet në Liban dhe Jordani
