Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë përuruar sistemin e përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë.
Mickoski tha se ky sistem do të lehtësojë transportin e pasagjerëve dhe do të afrojë edhe më shumë dy vendet, përmes thjeshtimit të procedurave kufitare. Ai theksoi se çdo vit miliona njerëz kalojnë përmes këtij pikëkalimi, ndërsa shprehu pritjen që modeli i njëjtë të zbatohet edhe në pikat e tjera kufitare ndërmjet dy vendeve.
Sipas Mickoskit, lehtësimi i qarkullimit pritet të ndikojë pozitivisht edhe në turizëm, veçanërisht në rajonin e Ohrit dhe Strugës, si dhe në bregdetin shqiptar.
“Është kënaqësia jonë të nisim këtë formë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi sistemi me një ndalesë do të lehtësojë transportin e pasagjerëve.
Siç e keni dëgjuar, disa milionë njerëz kalojnë çdo vit përmes këtij pikëkalimi kufitar. Me këtë mënyrë bashkëpunimi, dy vendet tona, të cilat tashmë kanë marrëdhënie të afërta, do të afrohen edhe më shumë.
Pres që kjo formë komunikimi dhe bashkëpunimi të vazhdojë edhe në pikat e tjera kufitare që kemi me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë, duke forcuar kështu edhe më tej lidhjet ndërmjet qytetarëve në të dyja anët e kufirit.
Siç u shpjegua edhe gjatë prezantimit, sistemi me një ndalesë do të funksionojë në një mënyrë që do të sjellë përfitime të shumta.
Ky sistem do të krijojë vlerë të shtuar edhe përmes rritjes së turizmit dhe potencialit turistik të të dy vendeve. Kur flas për të dy vendet, kam parasysh bregun e Ohrit, Ohrin dhe Strugën, si dhe komunat e tjera që gravitojnë drejt këtij rajoni, por natyrisht edhe bregdetin shqiptar”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ndërkaq, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi këtë hap si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai tha se bashkëpunimi po kalon nga modeli “kontroll, kontroll” në “besim, kontroll”, me synimin që në të ardhmen të arrihet te “besim, besim”, pa kontrolle kufitare.
Rama foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta, duke veçuar Korridorin 8, të cilin e cilësoi të rëndësishëm jo vetëm për dy vendet dhe Bashkimin Evropian, por edhe për NATO-n.
“Sot ndodhemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në marrëdhëniet tona, pasi po ndërmarrim një hap konkret me këtë transformim, i cili ka rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëzit që kalojnë këtë kufi.
Ne kemi një shprehje në shqip, nuk e di nëse e keni edhe ju në maqedonisht: ‘Beso dhe verifiko’.
Deri tani, në këtë kufi kishim ‘kontroll, kontroll’, ndërsa tani kalojmë në ‘besim, kontroll’. Hapi i ardhshëm është ‘besim, besim’, në mënyrë që të mos kemi më asnjë kontroll gjatë udhëtimit tonë të përbashkët drejt një Evrope pa kontrolle kufitare ndërmjet nesh.
Dua të theksoj edhe atë që tha më herët miku im Krishtian, kryeministri juaj. Ne jemi në një proces bashkëpunimi, në kuadër të të cilit kemi shumë gjëra për të bërë së bashku.
Pa dyshim, një prej tyre është puna për avancimin e projektit tonë kryesor, i cili tashmë nuk është i rëndësishëm vetëm për ne dhe për Bashkimin Evropian, por edhe për NATO-n. Bëhet fjalë për Korridorin 8″, tha Edi Rama – kryeministër i Shqipërisë.
