Janar-tetor: Ekonomia kineze mbetet e qëndrueshme

TË FUNDIT

Ekonomia kineze ka ruajtur në përgjithësi qëndrueshmërinë nga janari deri në tetor, me përmirësimin e strukturave ekonomike dhe me shtimin e energjisë së re të rritjes, siç treguan të hënën të dhënat ekonomike nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS).

Nga janari deri në tetor, vlera e shtuar e ndërmarrjeve kryesore industriale u rrit me 5.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në muajin tetor, ajo u ngrit me 4.8 %, teksa prodhimi i pajisjeve dhe prodhimi i teknologjisë së lartë shënuan përkatësisht një shtim prej 10.6 % dhe 17.6 %, duke tejkaluar rritjen e përgjithshme industriale përkatësisht me 5.8 % dhe 12.8 %.

Në 10-mujorin e parë të këtij viti, treguesi i prodhimit të shërbimeve i Kinës u rrit me 4.7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po gjatë së njëjtës periudhë, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të përdorimit të përditshëm dhe të shërbimeve u ngrit 2.5 %. Në sektorin e shërbimeve, shërbimet e komunikimit dhe informacionit, shërbimet e konsulencës dhe qirasë të lidhura me turizmin, si edhe shërbimet kulturore, sportive e argëtuese, patën një shtim të shpejtë.

Ndërkohë, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të mallrave arriti në 44.81 trilionë juanë (rreth 6.7 trilionë dollarë), duke shënuar një rritje prej 20 % në bazë vjetore. Tregtia me vendet partnere të nismës “Një brez, një rrugë” u ngrit 18.5 %, ndërsa import-eksporti i sipërmarrjeve private u shtua me 20.1 %.